Kosova pranon asociacionin

Kosovë | 3 vite më parë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se propozimi i Bashkimit Evropian, i cilësuar si propozim modern europian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duket se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. 

Gjatë një deklarate në Prishtinë, Konjufca theksoi se për Asociacionin nuk duhet të negociohet dhe nuk duhet të jetë temë kryesore e negociatave, pasi për të është arritur më herët marrëveshje.

“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm një shikim sipërfaqësor, por propozimi për Asociacionin është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës” tha Konjufca.
 
“Gjatë takimeve në Kosovë dhe Serbi pesë diplomatët nga BE, Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia dhe Gjermania u kanë paraqitur palëve një “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” tha më herët zëdhënësi i BE-së, Piter Stano. 

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin në vitin 2013, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2015 gjeti se Marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën e vendit. 

Prishtina deri tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit, ndërsa  Serbia këmbëngul për themelimin e tij.

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme