KQZ vendos numërimin e veçantë të votave të diasporës në Greqi

KQZ ka vendosur numërimin e veçantë për numërimin e veçantë të votave të diasporës në Greqi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar vendimin që rregullon administrimin dhe vlerësimin e zarfeve “B”, pjesë e dokumentacionit të votimit nga jashtë, në rastet kur këto zarfe nuk vlerësohen nga Grupi i Numërimit të Votave nga Jashtë (GNVJ) dhe/ose Komisioni për Numërimin dhe Vlerësimin e Votave nga Jashtë (KANVVJ).
Sipas vendimit të miratuar, zarfe të tilla do të mblidhen dhe ruhet në një kuti të sigurt, siç është parashikuar për kutitë e votimit brenda vendit. Kjo kuti do të mbyllet me vula sigurie dhe numrat përkatës do të regjistrohen në një procesverbal. Origjinali i këtij procesverbali do t’i dorëzohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Përveç kësaj, zarfe që nuk vlerësohen do të kalojnë në një proces të mëtejshëm shqyrtimi, sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor dhe akteve përkatëse që rregullojnë zgjedhjet.
“Vlerësimi i zarfeve “B” të administruar sipas këtij akti, i nënshtrohet procesit të shqyrtimit të mëtejshëm sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor dhe akteve të dala në bazë e për zbatim të tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”, thuhet në vendim.
Vendimi i KQZ vjen pas kërkesave të Partisë Demokratike për numërimin e veçantë të votave të shqiptarëve në Greqi, pasi opozita pretendon se ka manipulime me procesin e votimit.
Kujtojmë se pak më parë, Celibashi bëri me dije se procesi i numërimit të votave të diasporës në Greqi,nga qarku Korçë ishte bllokuar, ndërsa njoftoi se KQZ do të merrte një vendim edhe në lidhje me qarqet e tjera.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




