KRIIK Albania publikon gjetjet dhe konkluzionet paraprake për zgjedhjet e 11 majit
Përfaqësuesit e Koalicionin për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, (KRIIK) Albania, një ditë pas zgjedhjeve, kanë bërë një deklaratë shumë të gjatë për gjetjet dhe konkluzionet paraprake për monitorimin e procesit zgjedhor të 11 majit, që nga shpallja e datës së zgjedhjeve nga Presidenti Bajram Begaj, më 4 dhjetor 2024.
Ndër të tjera, në deklaratën e tyre, KRIIK ka dhënë edhe disa rekomandime, lidhur me fazat e tjera të procesit zgjedhor në vazhdim.
“KRIIK u bën thirrje të gjithë komisionerëve dhe numëruesve që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe të numërojnë çdo votë me profesionalizëm dhe korrektësi. Procesi i numërimit në Shqipëri në vijimësi, sipas KRIIK, është karakterizuar nga ngadalësia, bllokimet e pajustifikuara, konfliktet apo të tjera problematika.
Subjektet zgjedhore inkurajohen të përdorin mekanizmat ligjorë të ankimimit dhe apelimit, duke shmangur retorikën që minon besimin në procesin zgjedhor dhe nga ana tjetër institucionet përkatëse duhet të trajtojnë këto kontestime me profesionalizëm, transparencë dhe në afatet e përcaktuara ligjore.
Partitë politike duhet të marrin përgjegjësi të plotë për sjelljen e përfaqësuesve dhe mbështetësve të tyre si brenda ashtu edhe në afërsi të Vendeve të Numërimit të Votave. Kryetarët e KZAZ-ve dhe KQZ-ja duhet të aplikojnë sanksione të menjëhershme ndaj shkeljeve të konstatuara”, theksohet në reagimin e KRIIK.
Ndërsa në fund të rekomandimeve KRIIK deklaron se KQZ-ja duhet të kryejë një hetim administrativ të plotë dhe transparent lidhur me çështjen e dhënies së akreditimeve të vëzhguesve vendas për ZAZ nr. 27, të cilat u anuluan, apo të tjera raste të ngjashme që mund të kenë ndodhur.
Ky proces, sipas KRIIK, do të shërbejë si precedent për të garantuar që sistemi i akreditimit të vëzhguesve të respektojë me rigorozitet standardet ligjore dhe të parandalojë manipulimet e mundshme në të ardhmen.
Gazetare: Ornela Ceka
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





