Kuvend- Konstituohet nënkomisioni pozitë- opozitë për plotësimin e vakancave në KLP dhe KLGJ

Politikë | 2 vite më parë

Kuvendi nisi të mërkurën shqyrtimin e kandidaturave për vakancat që janë krijuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Për këtë qëllim fillimisht është formuar në Komisionin e Ligjeve nën komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për në KLP e KLGJ nga radhët e avokatëve.

Nën komisoni do të përbëhet nga tre anëtarë nga radhët e Partisë Socialiste që janë Klotilda Bushka Ferhati, Damian Gjiknuri dhe Klevis Xhoxhi, ndërsa nga radhët e opozitës do të jenë Dhurata Çupi dhe Gazment Bardhi.

Drejtuesja e punimeve në nën komision deputetja Klotilda Bushka tha se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe në mbledhjen e parë të komisionit parashikohet të miratohet kalendari i punimeve të nën komisionit.

“Janë shpallur vakancat nga Kuvendi. Nga Avokati i Popullit, është realizuar verifikimi i kandidatëve. Avokati i Popullit i ka përcjellë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit raportet dhe dokumentacionin përkatës. Avokati i Popullit ka kryer verifikimet e tij, dhe i ka nisur Komisionit të Ligjeve raportet përkatëse. Menjëherë pasi Komisioni i Ligjeve është vënë në dijeni ka nisur procedurën për ngritjen e këtij nën komisioni”, tha Ferhati.

Sipas saj, sekretaria do të shpërndajë materialet për kandidatët dhe se këto ditë do jenë në dispozicion për t’u verifikuar nga secili anëtar i nën komisionit.

“Do të jenë kandidatët e përzgjedhur dhe ato që nuk janë përzgjedhur. Duhet të ecim me kriteret e meritës dhe transparencës, në besim të publikut”, tha Ferhati.

Ndërsa deputetja e PD-së, Dhurata Çupi tha se kërkohet transparencë e plotë në këtë proces. 

“Jemi dakord në respekt të procedurave ligjore të vijojmë me konstituimin. Ky proces ka pasur hije dyshimi dhe është mirë që të vijojmë punën në transparencë të plotë”, tha Çupi.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme