Kuvendi Kombëtar, Sali Berisha rikonfirmohet në krye të grupimit të PD-së me 938 vota pro

Politikë | 3 vite më parë

Sali Berisha është rikonfirmuar në krye të grupimit të Rithemelimit të PD-së.  Kjo u bë e ditur pas përfundimit të procesit të numërimit të votave të delegatëve të PD-së, që ishin të pranishëm në Kuvendin Kombëtar që u mbajt të shtunën.

Në një deklaratë për mediat, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso publikoi edhe rezultatet e votimit. 

“Procesi u mbyll ashtu siç edhe patët mundësi ta ndiqnit në mënyrë transparente dhe të drejtpërdrejtë. Në përfundim të procesit të numërimit është hartuar procesverbali përfundimtar dhe përmbledhës i këtij procesi, i cili përmban këto shifra.

Numri i votuesve sipas listës së zgjedhësve, votuesve që u identifikuan që ishin në sallë, ishte 1203.

Rezulton se numri i votuesve që kanë votuar është 1000, sa është edhe numri i fletëve të votimit që u gjetën në 6 kutitë e votimit. Numri i votave të vlefshme është 993, 7 vota të pavlefshme.

Ndarja e votave është si më poshtë, kanë votuar pro 938 delegatë, kanë votuar kundër 55 delegatë. Në bazë të nenit 46 pika 9 e Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, rezulton se Sali Berisha është rikonfirmuar në krye të grupimit të Rithemelimit të PD-së” tha  Ivi Kaso për mediat.

 

/ rtsh.al /

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme