Lezha, destinacion përtej detit. Interes në rritje për historinë, kulturën dhe natyrën

Aktualitet | 2 muaj më parë

Për herë të parë këtë sezon po organizohen itinerare turistike, të cilat u japin mundësi pushuesve të vizitojnë disa nga pikat më të rëndësishme të Lezhës.

Më të preferuarat mbeten Memoriali i Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Muzeu Etnografik e Arkeologjik, si dhe Laguna Kune-Vain, një nga zonat më të veçanta për biodiversitetin dhe peizazhin natyror.

Turistët shprehen se eksplorimi i historisë, kulturës dhe natyrës së Lezhës e bën përvojën e pushimeve më të pasur dhe më dinamike, duke i kthyer ditët e verës në një eksperiencë që shkon përtej plazhit.

“Prej disa ditësh ndodhem në Shëngjin, ku po kaloj pushimet verore. Krahas bregdetit, sot zgjodha të eksploroj edhe atraksionet e tjera që ofron ky rajon. Iu bashkova një itinerari turistik, ku vizitova Kalanë e Lezhës, muzetë dhe Lagunën Kune-Vain. Ishte një eksperiencë shumë e bukur, që më dha mundësinë të njoh më nga afër Lezhën, historinë dhe bukuritë e saj”.

“Ky është një vend shumë interesant, që të ofron shumë më tepër sesa bregdetin. Gjatë këtij itinerari vizituam Memorialin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Kalanë e Lezhës dhe atraksione të tjera historike e kulturore. Lezha është një qytet me shumë histori dhe ia vlen ta njohësh. Nuk e dija që, përveç plazheve, ka kaq shumë vende interesante për t’u vizituar. Jam shumë i kënaqur që iu bashkova këtij turi turistik”, thanë disa turistë të huaj.

Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhanej, thotë se synimi është të nxitet bashkëpunimi mes agjencive turistike, guidave dhe strukturave hoteliere, për të krijuar paketa të organizuara që u ofrojnë turistëve mundësinë të njohin të gjitha vlerat që ofron zona.

“Qëllimi jonë është t’i japim mundësi turistëve të shikojnë edhe përtej detit. Duke qenë se kemi një territor që ka disa atraksione turistike, kulturore apo natyrore, krijuam një itinerar dhe duke komunikuar dhe me operatorë turistik”, tha ai

Me hyrjen në pikun e sezonit veror, numri i turistëve në Lezhë vijon të rritet. Përveç bregdetit të Shëngjinit dhe Tales, gjithnjë e më shumë vizitorë po zgjedhin të eksplorojnë historinë, kulturën dhe natyrën e zonës.

Gazetar: E. Hila                

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme