Ligji për privatizimin, Spaho: Favorizon oligarkët që përfitojnë toka publike

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka deklaruar në studion e RTSH 24 se ligji i ri i privatizimit se është vetëm për të favorizuar oligarkët.
Spaho tha se drejtues të caktuar të institucioneve shtetërore kanë krijuar kompani private për të përfituar prona publike dhe për qëllimet e tyre personale. Ndërsa solli si shembull portin e Durrësit dhe Limionit.
“Të presësh nga ky ligj që ajo që ka mbetur nga prona publike të shkojë në interes të qytetarëve është që të jesh shumë naiv, duke parë gjithë rastet e fundit, ku drejtues të institucioneve shtetërore kanë krijuar kompani private për të marrë pronën publike dhe për të përfituar për qëllimet e tyre personale sikurse kanë vepruar në të shkuarën dhe sot një numër biznesmenësh të fuqishëm në vend që ndryshe quhen oligarkë.
Doni shembuj? Mjafton t’i referoheni portit të Durrësit ose portit të Limionit në Sarandë. Përbëjnë dy skandalet më të mëdha.
I jepet porti i Durrësit një privati për të ndërtuar vila për t’i shitur ndërkohë ne duhet të transferojmë portin në një vend tjetër dhe të harxhojmë nja 2 miliard euro për të ndërtuar portin e ri. Ose porti i Limionit që u mor për të ndërtuar dikush tjetër dhe u hoq një objekt ushtarak nga ai i plani i hapjes së ushtrisë”, u shpreh Spaho.
Spaho shpjegoi se tani forma e investitorit strategjik është diskredituese për mazhorancën dhe për këtë arsye sipas tij është gjetur një mënyrë tjetër që të mos bjerë në sy.
“Tani e shohin që forma e investitorit strategjik është diskredituese dhe nxjerr një ligj të përgjithshëm për të evituar evidentimin e emrave të investitorëve strategjikë. Bëhet një kontratë me institucionin shtetëror dhe nuk bien në sy të opinionit publik. Të paktën këto prona t’ua jepnin pronarëve që janë ende të pa kompensuar”, ka theksuar Spaho.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




