Lufta kundër krimit të organizuar dhe siguria publike mbeten prioritet kryesor, Balla takon Ndihmës Sekretarin

Politikë | 3 vite më parë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla priti sot Todd D. Robinson, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).

Gjatë takimit, Balla falënderoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit për bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese dhe programet e asistencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, INL, ICITAP dhe DEA.

“Me mbështetjen e tyre kemi përmbyllur me sukses një sërë operacionesh hetimore të përbashkëta, zhvilluar trajnime të punonjësve të policisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe kemi ngritur kapacitete në fushën e sigurisë kibernetike. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë.

Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje trafiqe a pastrime parash. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Interpol po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund të pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ndodhen”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Gjithashtu ai konfirmoi se do të vijohen përpjekjet për përmirësimin e rezultateve në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore përmes Mekanizmit Kombëtar të Referimit, me kontributin e institucioneve të drejtësisë, organeve ligjzbatuese dhe shoqërisë civile.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme