Lufta/ Ndihma humanitare e Indisë për Gazën mbërrin në Egjipt, OKB: Nuk mjaftojnë

Ndihma humanitare e Indisë për Gazën ka mbërritur në Egjipt. Lajmin e njofton zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit, Adrian Bagi (Adrindam Bagchi) në një postim në X, i njohur më parë si Twitter.
Avioni mbërriti në el-Arish në Sinai të Egjiptit dhe materiali i ndihmës iu dorëzua Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane për tu dërguar në Palestinë, tha Bagchi.
Një fluturim i Forcave Ajrore Indiane mbante gati 6.5 ton ndihma mjekësore dhe 32 ton material ndihme në fatkeqësi, duke përfshirë ilaçe për shpëtimin e jetës, sende kirurgjikale, tenda, çanta gjumi, pëlhura gome, pajisje sanitare dhe tableta për pastrimin e ujit.
Ndihmat janë grumbulluar në anën egjiptiane të vendkalimit Rafah që lidhet me Gazën. Kalimi jetik u hap shkurtimisht gjatë fundjavës, duke dërguar kolonën e parë me 20 kamionë ndihma në Gazën e rrethuar të shtunën dhe 14 kamionë të tjerë kaluan të dielën.
Kriza humanitare po përkeqësohet me shpejtësi në Gaza pasi Izraeli bombardon territorin, ndërsa vëllimi i ndihmave që ka kaluar është vetëm një pikë në oqean për mbi 2.2 milionë njerëz brenda territorit.
Ndërkohë edhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët (UNRWA) Gaza ka ngritur shqetësimin se Gaza ka nevojë për karburant, po edhe për ushqim, pasi dy autokolonat e ndihmave që hynë në Gaza këtë fundjavë mezi lehtësojnë kushtet e rënda brenda territorit./CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




