Manchester City dridhet, fajtor për 114 akuza

Futboll Bota | 31 minuta më parë

Manchester City është shpallur fajtor për gati 114 nga 115 akuza që lidhen me shkelje të rregulloreve financiare të Premier Ligës. Një njoftim zyrtar ende nuk është bërë, kështu që sanksionet e mundshme nuk janë përcaktuar ende. Asnjë opsion nuk mund të përjashtohet në këtë kohë: nga rënia në një kategori të caktuar deri në një gjobë ose dënim të rëndë, deri në përjashtim të mundshëm nga Premier Liga, të gjitha opsionet mbeten në tryezë.

Sidoqoftë, pritet që “Qytetarët” të apelojnë. Aktualisht nuk ka një qëndrim zyrtar nga menaxhmenti i klubit të Manchester-it, por ata kanë komentuar në mënyrë jozyrtare situatën për “The Athletic”: “Procesi i Premier Ligës është duke vazhduar, me elementë të rëndësishëm që ende nuk janë përfunduar dhe i nënshtrohen konfidencialitetit të rreptë. Prandaj, qëndrimi i Manchester City FC mbetet në përputhje me deklaratën e lëshuar nga klubi në shkurt 2023. Klubi i është përmbajtur me zell procesit të rregullt ligjor për tetë vjet, duke supozuar se bordi dhe menaxhmenti i Premier Ligës do të vepronin si një rregullator i pavarur, i paanshëm dhe i drejtë, i lirë nga ndikimi i njëanshëm”.

Manchester City është akuzuar pas një hetimi për shkelje të dyshuara midis viteve 2009 dhe 2018, dhe çështja i është referuar një komisioni të pavarur për të vlerësuar akuzat. Hetimi filloi pasi gazeta gjermane Der Spiegel publikoi dokumente konfidenciale financiare të City-t në nëntor 2018. Akuzat kryesore janë fryrja e disa marrëveshjeve të sponsorizimit, mosdhënia e informacionit të saktë financiar dhe detajeve të pagesave për lojtarët dhe trajnerët, si dhe shkelja e rregulloreve të UEFA-s për Fair Play Financiar (FFP) dhe rregullave të brendshme të rentabilitetit dhe qëndrueshmërisë të ligës. Klubi i ka mohuar vazhdimisht akuzat.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme