Manja vizitë zyrtare në Londër: Finalizojmë marrëveshjen për transferimin e të dënuarve shqiptarë nga Anglia

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është nisur sot (17 tetor) për një vizitë zyrtare në Londër, me ftesë të homologut, Sekretarit të Shtetit për Drejtësinë në Mbretërinë e Bashkuar, Alex Chalk.
Në qendër të këtij takimi do të jetë nënshkrimi i marrëveshjes dy-palëshe për transferimin e të dënuarve shqiptarë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri.
Ministria njofton se, përveç takimit me homologun e tij britanik, Manja do të zhvillojë edhe takime të tjera të nivelit të lartë politik, siç janë takimet në Parlamentin dhe Gjykatën Supreme, me të cilin do të diskutojë mbi çështje të ndryshme të sistemit të drejtësisë.
“Me rëndësi të veçantë për Ministrin Manja do të jetë vizita në burgun e meshkujve në Pentonville, ku do të takojë shtetasit shqiptarë që janë në pritje të dënimit nga gjykatat britanike. Kjo është hera e parë që një ministër drejtësie zhvillon një takim të tillë dhe ka në fokus kushtet e trajtimit të shtetasve tanë, problematikave që hasin, veçanërisht përsa i përket diskriminimit dhe paragjykimeve apo mundësive që kanë pasur për të komunikuar me familjet e tyre”, njofton Ministria.
Gjatë vizitës në Londër, ministri do të zhvilloje një takim dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në fushën e drejtësisë dhe biznesit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




