Maran: I kam idetë të qarta për skuadrën, dua të bëjmë ndeshjen më të mirë me Bjellorusinë

Trajneri Rolando Maran doli sot në konferencë shtypi, para ndeshjes së parë të Ligës së Kombeve ndaj Bjellorusisë. Ai theksoi mes të tjerash se tashmë e njeh më mirë skuadrën dhe lojtarët, ndaj dhe ka besim për një fillim të mbarë të kompeticionit.
Trajneri italian shpjegoi disa zgjedhje të tij. Maran u u shpreh se pret që skuadra të bëjë më të mirën ndaj një kundërshtari, që vjen në një moment shumë të mirë.
“Bjellorusia është një skuadër e fortë, kompakte. Ka bërë një rrugëtim të mirë, por unë dua të merrem me skuadrën time. Kundërshtarin e respektojmë, por ne besojmë tek aftësitë tona. Këtë javë kam parë dëshirë për të ecur përpara, për të mos gabuar. Dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Po, nesër nis aventura ime te Shqipëria dhe kam dëshirën për të bërë më shumë. Idetë i kam të qarta. Ka pasur ndonjë problem fizik, ndonjë lojtar që është lënë pushim, por kush do të hyjë në fushë, do të hyjë me këmbën e duhur për të bërë një ndeshje të mirë.
Asllani? Disa lojtarë nuk kanë mundur të stërviten në mënyrën më të mirë dhe për këtë arsye kam provuar disa gjëra të reja. Kam marrë përgjigje të mira, ka qenë një javë impenjative. Përtej faktit se kush do të zbresë në fushë, kam shumë besim. Asllani dhe Shehu do të jenë të dy në stërvitjen e sotme.
Nuk morën lojtar tjetër pas dëmtimit të Balliut, sepse kemi lojtarë në organikë. Sina ka treguar se mund të bëjë mbrojtësin e djathtë, nuk jam i shqetësuar për këtë situatë. Edhe Ismajli mund ta bëjë mbrojtësin e djathtë.
Tani i njoh më mirë lojtarët, kam pasur më shumë kohë. I kam parë nga afër, por edhe me video. Kam njohur më mirë karakteristikat e çdo lojtari, por duhet thënë se ata ndryshojnë gjatë kohës. Jam përpjekur të thërras ata që janë në gjendjen më të mirë, ata që janë më të përshtatshëm për modulin e lojës.
Bjellorusia vjen në një moment të mirë dhe kjo do të thotë diçka. Për ne duhet të jetë një stimul. Ne duhet të rritim përqendrimin dhe kujdesin. Mund të zgjedh në bazë të lojtarëve dhe në bazë të situatave. Ka shumë ndeshje në një ndeshje. Asnjë ndeshje nuk përfundon ashtu siç fillon. Jemi të përgatitur për çdo situatë.
Rezultati varet nga shumë gjëra, ne duhet të bëjmë ndeshjen më të mirë, duke mos humbur ekuilibrin. Nuk ka rëndësi të kemi çdo moment topin në kontroll. Në ndeshje ka vështirësi, duhet të jemi koshientë për punën që kemi bërë, duke mos pasur frikë nga asgjë”, – tha trajneri Maran.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



