Maturantët përzgjedhin lëndët, vendosin edhe për programin që do të studiojnë në Universitet

Tea është gjimnaziste e vitit të dytë të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi“ dhe gjatë këtij muaji i është dhënë mundësia të zgjedh grup lëndët për të studiuar që do të diktojnë më pas edhe zgjedhjen e saj për në universitet.
“E kam pasur shumë pak pasion mjekësinë dhe kam menduar të zgjedh variantin e parë që është biologji, kimi, fizik, matematik. Është dhe varianti i dytë, një variant shumë i mirë por duke qenë se provimi në shtet përfshin edhe matematikën mendoj që është më i denjë”, tha Tea.
Shoku i saj i klasës ka vendosur të studiojë për inxhinieri ndaj ka përzgjedhur lëndët shkencore të variantit 3.
“Unë do të zgjedh variantin e tretë që konsiston në matematikën në avancë, fiziken, informatikën dhe teknologjinë”, tha një gjimnazist tjetër.
Para se të vendosin gjimnazistët duhet të jenë të qartë për programin e studimit që do të përzgjedhin në universitet , se pas përzgjedhjes nuk ka më kthim pas.
“Po përpiqemi që ti orientojmë fëmijët në mënyrë të plotë dhe të drejtë sa që të mos ketë më kthime prapa. Digjitalizimi i të dhënave nëpërmjet programit SMIP nuk do ta lejonte dot më që nxënësit të ndryshonin variantin”, tha një mësuese.
Gjimnazistët janë informuar në lidhje me kriteret e universiteteve në varësi të kërkesës që kanë për të studiuar me qëllim që të mos penalizohet askush.
“Kemi filluar punën me një ekip shumë të mirë mësuesish, në fakt nga të gjitha ekipet lëndore të shkollës duke mbrojtur pa diskutim interesat e nxënësve dhe duke diskutuar edhe prindërit e tyre për përzgjedhjen që ata do të bëjnë”, tha drejtoresha e shkollës.
Gjatë muajit prill ështe parashikuar të krijohen klasat me drejtim shoqëror apo shkencor dhe gjimnazistët të nisin nga puna për një studim më të thelluar në lëndët e përzgjedhura.
Gazetare: K. Toroveci
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




