Skandali i spiunazhit të dyshuar kinez trondit Nvidia-n, Trump: FBI po heton çështjen e Jensen Huang

Botë | 5 minuta më parë

Një skandal i dyshuar spiunazhi me përmasa ndërkombëtare ka vënë në qendër të vëmendjes kompaninë gjigante të teknologjisë Nvidia dhe drejtuesin e saj, Jensen Huang, pas raportimeve se një grua e dyshuar si agjente e inteligjencës kineze ka pasur lidhje të afërta me të.

Zyrtarët amerikanë të inteligjencës dyshojnë se Alice Huang, e njohur gjithashtu si Huang Le, ka punuar për Pekinin. Ajo nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia-s, por ka qenë drejtoreshë menaxhuese e kompanisë singaporase Megaspeed, e cila ka pasur marrëdhënie biznesi me gjigantin amerikan të teknologjisë.

Sipas të njëjtit raportim, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte paralajmëruar zyrtarë të lartë në Uashington që në pranverë për marrëdhënien e dyshuar mes Jensen Huang dhe gruas që dyshohet për spiunazh.

Çështja ka marrë përmasa edhe më të mëdha për shkak të rolit strategjik të Nvidia-s në garën teknologjike mes SHBA-së dhe Kinës, veçanërisht në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe prodhimin e çipave të avancuar.

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se FBI po heton çështjen, duke zbuluar gjithashtu se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Jensen Huang të hënën.

Trump tha se e kishte pyetur drejtpërdrejt nëse kishte pasur dijeni për identitetin dhe aktivitetin e dyshuar të Alice Huang.

“A kishe ndonjë ide që ajo ishte spiune?”, tha Trump se e kishte pyetur drejtuesin e Nvidia-s, i cili, sipas presidentit, ishte përgjigjur se nuk kishte pasur asnjë dijeni.

“Unë vërtet i besoj atij”, u shpreh Trump para gazetarëve.

Trump e përshkroi Huang si “një njeri me nder”, duke shprehur bindjen se ai do ta kalojë këtë situatë pa probleme.

“Shpresoj të mos ketë problem. Besoj se po vuan shumë”, shtoi presidenti amerikan.

Nvidia mohon komprometimin e sekreteve, Kina hedh poshtë akuzat

Nvidia ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye të besojë se sekretet tregtare apo siguria kombëtare e SHBA-së janë komprometuar nga kjo çështje. Kompania ka porositur gjithashtu një hetim të pavarur për marrëdhënien e dyshuar.

Vetë Jensen Huang ka deklaruar se është i përkushtuar për të mbrojtur kompaninë dhe për të mbështetur sigurinë kombëtare amerikane, duke u shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me hetimin.

Ndërkohë, Kina ka reaguar duke hedhur poshtë pretendimet se Huang ishte objektiv i një operacioni spiunazhi. Ministria e Jashtme kineze i cilësoi akuzat si “plotësisht të pabaza dhe spekulative”, duke i konsideruar ato një përpjekje për të njollosur imazhin e Kinës.

Nvidia është një prej aktorëve kryesorë në garën globale për inteligjencën artificiale. Çipat e saj janë thelbësorë për zhvillimin e sistemeve të avancuara të AI-së, ndërsa eksportet drejt Kinës kanë qenë prej kohësh një çështje e ndjeshme për administratën amerikane.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme