Mbështetja për gratë me mbi 3 fëmijë, mbi 2000 aplikime në pak ditë! Nëna 25-vjeçare: Jetojmë me të ardhura tepër të ulëta

Një nënë 25-vjeçare me tre femijë nga Korca ka sjellë historinë e saj të vështirë ekonomike mes papunësisë dhe të ardhurave mjaft të ulta në familje. Programi më i ri që synon mbështetjen e veçantë për gratë e papuna me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë në muaj, ka zgjuar tek ajo dhe familja e saj shpresën për një të ardhme më të mirë.
Sidorela është 25 vjeç dhe nënë e tre fëmijëve, 9, 5 vjeç, dhe fëmija i tretë vetëm 5 muajsh. Ajo e ka të pamundur të punojë pasi kujdeset për fëmijët dhe e vetmja e ardhur për familjen e saj është ndihma ekonomike në masën 12 mijë lek. Edhe bashkëshorti nuk ka një punë të qëndrueshme, çka bën të papërballueshme jetesën e tyre.
Sidorela na tregon se nuk ka qënë në dijeni të vendimit për një mbrojtje të veçantë nga shteti për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës nën 18 vjeç, i cili do të zbatohet gjatë këtij viti. 25 vjeçarja vlerëson këtë program social që do t’u vijë në ndihmë nënave të reja.
Nëna e bashkëshortit të Sidorelës, na tregon se të ardhurat mujore të familjes së tyre të përbërë nga 8 pjestarë janë shumë të ulëta.
Programi më i ri synon mbështetjen e veçantë për gratë e papuna me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë në muaj, duke i mbështetur me pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri 5 vjeç. Nga fillimi I nisjes së programit me datë 1 Janar deri më sot kanë aplikuar përmes platformës e-Albania mbi 2000 gra të papuna me 3 fëmijë. Aplikimi nga gratë përfituese do të bëhet vetëm një herë, më pas do të jenë strukturat shtetërore që do të përditësojnë listat mujore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




