Ministri Hasani takon krerët e partive politike në Kosovë: Të mbrojmë interesat e shqiptarëve kudo në rajon

Politikë | 3 vite më parë

Mbrojtja dhe afirmimi i interesave të shqiptarëve kudo në rajon, ka qenë në qendër të takimeve që ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka zhvilluar me drejtues dhe përfaqësues të partive politike në Kosovë.

Kjo u bë e ditur nëpërmjet një postimi në X nga shefi i diplomacisë shqiptare. Gjatë vizitës në Kosovë, Hasani zhvilloi takime me Vlora Çitakun e PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së, Ramush Haradinajn e AAK-së, si dhe Fatmir Limajn e Nisma, të cilët kanë kontribuar në shtetformimin e Kosovës së lirë dhe të pavarur.

“Të udhëhequr nga vizioni i përbashkët politik dhe strategjik për mbrojtjen dhe afirmimin e interesave të shqiptarëve kudo në rajon, së bashku do të vazhdojmë angazhimin tonë në promovimin e rolit e shqiptarëve, si kontribues në forcimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit rajonal”, shkruan ministri Hasani.

Haradinaj: Vlerësoj angazhimin e Shqipëria në mbështetje të Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ka vlerësuar lartë angazhimin e Shqipëria në mbështetje të Kosovës.

“Mirëprita sot në selinë e Aleancës, ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani me bashkëpunëtorë. Në takim vlerësova angazhimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të Republikës së Kosovës, në shumë çështje të rëndësishme. Projekti i hekurudhës i inicuar në qeverinë tonë, që tani po bëhet realitet ndryshon epokën e shqiptarëve”, ka thënë Haradinaj.

Roli i Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, sipas tij, është tejet i rëndësishëm.

“Në këto etapa vendimtare kërkojmë mbështetjen e qeverisë shqiptare, tani në veçanti kur e dimë që Shqipëria udhëheq shumë iniciativa rajonale, siç është Karta e Adriatikut dhe disa të tjera. Ne, bashkërisht duhet të kemi pozicion sa më të qartë dhe më unik në raport me interesin kombëtar dhe të dy shteteve”, tha Haradinaj.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, siç tha Haradinaj, mbetet synim kryesor i yni si shtet, si garancë për më shumë stabilitet në rajon e botë.

“Krahas mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë në krye me SHBA-të, roli i Shqipërisë është tejet i rëndësishëm në arritjen e këtij objektivi por edhe në proceset e tjera euro-integruese të Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme