“Mosbindje civile për rrëzimin e Ramës para 2025.” Numri dy i PD tregon si do paralizohet qeveria

Përveç nismave për bashkim, vëmendjen kryesore të PD në opozitë, të drejtuar nga Sali Berisha, po e merr përpjekja për të mobilizuar sa më shumë mbështetës në një aksion që synon të rrëzojë kryeministrin Edi Rama para zgjedhjeve 2025. Një mision i vështirë, por jo i pamundur sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka. Demokratët besojnë se më të efektshme sesa protestat masive, janë protestat përmes mjeteve të mosbindjes civile që ccojnë në bllokimin e qeverisjes.
“Koha kur shqiptarët thirren për protesta, bëjnë xhiro në bulevard dhe ikin në shtëpi, ka marrë fund. Është koha për përballje, për qëndresë dhe jo për xhiro,” tha Flamur Noka në emisionin “Pa censurë”, në RTSH.
Në modelin e protestave të deputetëve në parlament, PD beson se do t’ia dalë të bëjë jofunksionale edhe qeverinë, duke detyruar kryeministrin Rama të tërhiqet.
“Qëllimi ynë të gjunjëzojmë qeverinë dhe të largojmë Edi Ramën para zgjedhjeve. Me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk, pasi ai e ka provuar veten si armik të votës së lirë, që e konsideron votën si mall tregu. Ne do të analizojmë të gjitha mjetet që ka protokolli i mosbindjes civile dhe do t’i përshtatim me terrenin shqiptar. Ne do të synojmë të bllokojmë dhe ta paralizojmë narkoshtetin. Një formë është bllokimi, por jo si ai i Bashës, që bllokonte dy orë. Duhet ta çojmë deri në fund. Ne do ta gjejmë formën dhe mundësinë dhe ky shtet do të paralizohet,” i tha z. Noka gazetares Elona Meço, e cila e pyeti, nëse këto veprime bllokimi do të kenë për opozitën efektin e pakënaqësisë së shtuar tek qytetarët, që nuk do të mund të marrin shërbimin.
“Qytetarët janë më të pakënaqur se kurrë. Përmbahen me dhunën e terrorit shtetëror. Përveç sektit të Rilindjes, nuk ka sot qytetar, përfshirë dhe socialistët që të jetë i kënaqur me këtë pushtet,” u shpreh Flamur Noka në emisionin “Pa censurë”.
Gazetare: Elona Meço
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




