Muça: Rama, më i rrezikuar pa Metën dhe Berishën përballë

Politikë | 2 vite më parë

Dy prej liderëve të partive më të mëdha të opozitës, demokrati Sali Berisha dhe socialisti i moderuar Ilir Meta, ndodhen të dy në kushte arresti.

“Pa ta përballë në zgjedhjet e ardhshme, unë Edi Ramën e shoh më të rrezikuar,” tha të hënën gazetari Flogert Muça.

Z. Muça mori në analizë dy drejtuesit e lartë, deri para pak vitesh edhe në krye të organeve më të larta të shtetit, për të treguar se me historikun e tyre kanë ndrydhur apo kanë penguar hyrjen e faktorëve të rinj politikë.

Ai tha se me arrestimet e kërkuara nga SPAK-u, “opozitës po i bëhet një nder i madh”.

“Në qoftë se ka dy njerëz që e mbajnë bindshëm Edi Ramën në pushtet janë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Problemi i madh që kanë këto dy parti është që këta dy lisa të mëdhenj ia kanë zënë diellin gjithë të tjerëve poshtë dhe nuk i lënë të rriten. Nëse këta të dy i heqim nga ekuacioni Edi Rama do të jetë përpara një skuadre të re. Do jenë Belind Këlliçi, Besart Xhaferri, Adriatik Lapaj, Endri Shabani, Arlind Qori, Agron Shehaj… Si derivat i luftës së SPAK-ut kundër korrupsionit hapet fusha dhe këtu Edi Rama ka një problem, se nuk ka luksin të ketë përballë ata që i tund dhe i shkund, por ka disa të rinj të cilëve nuk ka çfarë u thotë. Në momentin kur Edi Rama ka fushën e lirë dhe ka përballë vetëm këta të dy, Edi Rama fiton. Po t’i ikin armiqtë që ai projekton te populli, aty Rama ka një problem. Edi Ramën e shoh më të rrezikuar në zgjedhjet e ardhshme pa Metën dhe Berishën përballë, sesa me ta përballë. Me ta përballë e shoh përjetësisht në pushtet,” tha z. Muça.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme