Mungesa e ftesës për PD në nisjen e negociatave, Blendi Klosi: Me piromanët nuk ka komunikim politik!

Politikë | 2 vite më parë

A duhet një pakt kombëtar për integrimin? Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi e pranon si ide në parim, por problemin e sheh tek opozita. Me sjelljen e saj në parlament, zoti Klosi i jep përgjigje pyetjes pse nuk kishte një ftesë për opozitën për hapjen e negociatave, në mënyrë që kryeministri Rama të ishte bashkë me PD, njësoj si kryeministri Berisha ishte me PS në 2006-ën, kur, po në Luksemburg, u firmos Marrëveshja e Stabilizim -Asociimit. “Do të ishte shumë mirë që të kishte një dakordësi  me kolegët, por ata kanë zgjedhur një rrugë krejt tjetër në të bërit politikë. Në rast se do të kshin zgjedhur debatin parlamentar dhe, bashkë me të, edhe kompromisin për të ecur përpara  për gjëra të caktuara, padyshim do të ishin aty dhe do të merrnin pjesën që u takonte nga ky moment i rëndësishëm.”- u shpreh zoti Klosi në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

Për Partinë Socialiste duket se ka vija të kuqe për të bashkëpunuar me opozitën, veçanërisht kur bëhet fjalë për integrimin.  “Dyshoj shumë që PD do që ta mbështesë këtë avancim të Shqipërisë, pasi e gjykon si një përfitim për Edi Ramën dhe PS-në. Nuk jam kundra opozitës, as mënyrës së protestës, pasi ata e zgjedhin vetë rrugën e tyre. Mendojnë që po të djegin karrige, mbledhin më shumë vota. Prandaj, me ata që vënë zjarrin jo, nuk ka shans. Ata janë të njëjtit njerëz që njëherë sillen si qengj, njëherë si intelektualë, njëherë si piromanë. Me dimensionin piroman të opozitës mendoj se nuk duhet të ketë asnjë komunikim politik”- u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi.

Gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço se ka disa kushte që opozita duhet të përmbushë për t’i hapur rrugë një bashkëpunimi parlamentar. “Dakordësia vjen kur ata të marrin pjesë në komisione parlamentare, të bëjnë jetë normale parlamentare, të marrin pjesë në komisione si ai i Fatmir Xhafës. Me këtë urgjencë reformash që Shqipëria ka përpara, ne nuk mund të presim që të kemi konsensus nga nuk e dimë se kush. Mesa kuptohet nuk ka asnjë vullnet nga opozita shqiptare që të jetë pjesë e një bashkëpunimi.”-theksoi Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi në RTSH. 

Gazetare Elona Meço

/ rtsh.al /

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme