Nathanaili: Trump shkoi në Pekin për ta përdorur Kinën për Iranin
Pedagogu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Petrit Nathanaili ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se Trump shkoi në Pekin për ta përdorur Kinën për Iranin.
Nathanaili u shpreh se presidenti amerikan Donald Trump vizitoi Pekinin me idenë për të angazhuar Kinën në çështjen iraniane, por pa pasur iluzione të mëdha për ndihmën konkrete që mund të merrte.
“Domethënë në kuptimin që amerikanët shkuan, presidenti Trump shkoi me idenë e madhe për ta “përdorur” Kinën, për hallin e tij të madh që e ka zënë në Iranin. Por ma ha mendja që edhe ai s’ka pasur shumë iluzione në këtë drejtim për ndihmën që mund t’i jepte Kina, sepse thjesht fakti që ai mund të përmendte se ka nevojë për ndihmë, atëherë nuk do të ishte presidenti Trump”, u shpreh Nathanaili.
Nathanaili shtoi se një ndihmë e mundshme nga Kina mund të ishte lidhur me çështjen bërthamore iraniane, konkretisht me uraniumin e pasuruar, por nuk dihet se çfarë është diskutuar konkretisht gjatë takimeve.
Pedagogu vazhdoi më tej me vlerësimin e mentalitetit politik dhe kulturor kinez:
“Por për të vazhduar në drejtim të mentalitetit politik dhe kulturor të kinezëve: Shikoni, Kina ka – dhe është e vërtetë ajo që u tha – që i mungon dëshira për të luajtur një rol të dukshëm global. Jo se nuk e duan, e duan dhe do të vijë shpejt koha që ndoshta do të duket më shumë, por Kina historikisht, kinezët kanë një mentalitet shumë të kujdesshëm. Mjafton në mënyrë simbolike të përmendim Murin e Madh të Kinës – është ideja e mbrojtjes. Pra ata nuk kanë bërë politika ekspansioniste historikisht”, tha ai.
Nathanaili theksoi se kinezët historikisht kanë qenë të kujdesshëm, duke shmangur ekspansionin ushtarak jashtë territorit të tyre (përveç çështjes së Tajvanit), dhe se ata reagojnë ashpër ndaj çdo ndërhyrjeje në punët e brendshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





