NATO mirëpret dërgimin e 5 mijë trupave amerikane në Poloni: Europa do të vazhdojë të ecë drejt reduktimit të varësisë nga SHBA për sigurinë

Amerikë | 4 muaj më parë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka mirëpritur vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të dërguar 5 mijë trupa shtesë amerikane në Poloni, në një kohë kur Uashingtoni po rishikon praninë ushtarake në Europë.

Mark Rutte u tha gazetarëve përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Suedi se Europa do të vazhdojë të ecë drejt reduktimit të varësisë nga SHBA për sigurinë.

Trump njoftoi vendimin përmes platformës së tij Truth Social, duke theksuar se lëvizja lidhet me marrëdhënien e tij me presidentin polak Karol Nawrocki, të cilin e kishte mbështetur gjatë zgjedhjeve presidenciale.

Njoftimi vjen vetëm një javë pasi Pentagoni anuloi një plan për vendosjen e 4 mijë trupave në Poloni, vendim që më pas Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e cilësoi si “vonesë të përkohshme”.

Edhe kryeministri polak Donald Tusk e përshëndeti vendimin, duke e quajtur “lajm të mirë” për të dy vendet dhe për sigurinë e aleancës.

Ndërkohë, administrata Trump ka sinjalizuar prej javësh se synon të reduktojë nivelin e përgjithshëm të trupave amerikane në Europë, në kuadër të politikës “America First”.

Raportohet se SHBA-të kanë nisur edhe tërheqjen e 5 mijë trupave nga Gjermania, pas tensioneve mes Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz lidhur me luftën në Iran.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi se prania shtesë amerikane në Poloni i shërben sigurisë së të gjithë NATO-s dhe është në interes të Europës.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme