Ndahen Çmimet “Atë Gjergj Fishta”, fituesit janë Gjon Marku, Primo Shllaku dhe Vlora Ademi

Gjon Marku në gjininë e studimeve, Primo Shllaku në atë të romanit dhe Vlora Ademi në vëllimin poetik janë shpallur tre fituesit e çmimeve “At Gjergj Fishta” në letërsi për vitin 2023.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në Lezhë, në nder të 152-vjetorit të lindjes së kolosit të letërsisë shqipe.
Pjesë e konkursit mbarëkombëtar ishin edhe 43 vëllime të shkrimtarëve të ndryshëm të vlerësuar nga juria, e cila përbëhej nga Mark Simoni, Diana Çuli dhe Alfred Çapaliku.
“Ecuria e këtij konkursi gjithnjë po vjen duke u rritur dhe ky është lajm jashtëzakonisht i mirë për adhuruesit e Fishtës, për gjithë njerëzit e letrave në Shqipëri,” tha Frano Kulli, botues i veprave të “At Gjergj Fishtës”.
“Gjithsecili ndër ne, kurdo kur i jepet mundësia, do të duhet të bëjmë detyrën tonë për ta lartësuar figurën e Gjergj Fishtës dhe për t’ua trashëguar brezave,” tha Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë.
“Ky është respekti më i madh që i bëhet Atë Gjergj Fishtës, një njeriu që nga pikëpamja letrare, por edhe e kontributit letrar, është i jashtëzakonshëm,” u shpreh Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë Lezhë.
Në këtë edicion, ndër të tjera u ndanë edhe çmimet e karrierës dhe post-mortem, ku u vlerësuan Sabri Hamiti, Agim Isaku, Danjel Gazulli dhe Ndue Gaspri.
Ky aktivitet, i cili është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, u organizua nga Bashkia Lezhë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




