Ndihmëssekretari amerikan Tod Robinson takim me kreun e SPAK dhe drejtuesen e BKH

Ndihmëssekretari amerikan për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit, Tod Robinson (Todd), ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Të martën (19 mars), Robinsoni ka zhvilluar një takim me gjyqtarë, prokurorë, hetues shqiptarë dhe drejtues të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, mes të cilëve edhe me kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumanin dhe me drejtuesen e BKH-së, Aida Hajnaj.
“Z. Dumani falënderoi z. Robinson për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar SPAK, duke filluar që nga themelimi i kësaj Strukture dhe në vijimësi në procesin e konsolidimit dhe specializimit të saj. Z. Dumani nënvizoi rolin e rëndësishëm dhe thelbësor që ekspertët e misioneve të asistencës dhe përfaqësuesve të agjencive ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë luajtur jo vetëm në zhvillimin e SPAK, por dhe në ndihmën e dhënë në bashkëpunimin ndërkombëtar me agjencitë ligjzbatuese partnere,” njoftoi SPAK.
Ambasada amerikane në Tiranë bëri me dije se në fjalën e tij gjatë takimit, Robinsoni ka falënderuar partnerët shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për zbatimin e ligjit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë.
“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Dhe unë dua që të gjithë ju ta dini se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur. Por si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Dhe unë do t’ju nxisja, e para, të dini se po sillni ndryshim dhe, e dyta, të mos dorëzoheni, të vazhdoni… Ne do mbështetemi te ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor… por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptarë besojnë te ju… dhe unë mund t’jua premtoj se teksa ju vazhdoni punën tuaj, qeveria e Shteteve të Bashkuara do jetë partneri juaj në këtë dhe do ecë krah jush në mbështetjen tuaj dhe të Shqipërisë,” ka thënë Robinsoni.
Bëhet me dije se zyrtari amerikan gjatë qëndrimit në Tiranë do të takohet me figura të larta, ndër të cilët edhe me kryeministrin Edi Rama.
Pas vizitës në Tiranë, ndihmëssekretari Robinson do të udhëtojë drejt Kosovës, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Robinson ka punuar në ambasadën amerikane në Tiranë në vitet 2004–2006.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




