Ndihmoi në kapjen e Maduros dhe luftën në Iran, rikthehet në SHBA aeroplanmbajtësja më e madhe amerikane

Amerikë | 5 muaj më parë

Aeroplanmbajtësja më e madhe amerikane, USS Gerald R. Ford, u kthye të shtunën në Virginia pas një lundrimi 11-mujor – më i gjati që nga Lufta e Vietnamit.

Gjatë kësaj periudhe, anija mbështeti luftën e SHBA-së me Iranin dhe operacionin ushtarak për kapjen e Nicolás Maduro kur ai ishte president i Venezuelës.

Anija më e avancuar e Marinës Amerikane, së bashku me dy destrojerë shoqërues (përfshirë USS Bainbridge), u ankorua në Naval Station Norfolk, ku rreth 5,000 marinarë u takuan për herë të parë me familjet e tyre që nga qershori i vitit të kaluar.

Përveç operacioneve luftarake dhe udhëtimeve nëpër kontinente, ekuipazhi i Ford-it u përball edhe me një zjarr që shpërtheu në një nga hapësirat e lavanderisë, duke lënë qindra pa shtretër gjumi dhe duke detyruar riparime të gjata në ishullin e Kretës.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ishte i pranishëm gjatë mbërritjes së anijeve. Ai uroi veçanërisht ekuipazhin e destrojerit USS Bainbridge.

“Ju nuk plotësuat thjesht një mision, ju bëtë histori. Ju jeni krenaria e kombit”, tha Hegseth në kuvertën e destrojerit.

Qëndrimi prej 326-ditësh i Ford-it është më i gjati për një aeroplanmbajtëse në 50 vitet e fundit dhe thyen rekordin për qëndrimin më të gjatë pas Luftës së Vietnamit, sipas U.S. Naval Institute News.

Qëndrimet më të gjata në histori mbeten ato të USS Midway (332 ditë në 1973) dhe USS Coral Sea (329 ditë në 1965).

Kohëzgjatja e madhe në det ka ngritur pyetje për ndikimin mbi shëndetin mendor dhe fizik të ushtarakëve që largohen nga shtëpia për periudha kaq të gjata, si dhe për konsumimin e anijes dhe pajisjeve të saj, përtej dëmit të zjarrit.

Kur Fordi u nis nga Virginia në qershor, u drejtua fillimisht në Detin Mesdhe.

Në tetor u ridrejtua drejt Detit Karaibe si pjesë e grumbullimit më të madh detar në rajon në dekada.

Në janar mori pjesë në operacionin ushtarak për kapjen e Maduros.

Më pas u zhvendos drejt Lindjes së Mesme për shkak të tensioneve me Iranin, duke marrë pjesë në ditët e para të luftës me Iranin nga Mesdheu, përpara se të kalonte Kanalin e Suezit dhe të hynte në Detin e Kuq në fillim të marsit.

Kthimi i Ford-it shënon fundin e një qëndrimi historik për Marinën Amerikane në një periudhë tensionesh ndërkombëtare të larta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme