Nënkryetarja e PD, Pampuri: Rishikim i Kodit Penal për veprat e dhunës ndaj grave

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri deklaroi të shtunën në ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave të shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara se dhuna me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga plagët më të rënda të shoqërisë dhe ndër shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut në botë.
Sipas saj, 1 në 3 gra në të gjithë botën përballen me një formë të dhunës fizike, verbale apo seksuale nga bashkëshorti apo partneri së paku një herë në jetë.
“Në fakt dhuna ndaj grave, vajzave dhe nënave, fatkeqësisht nuk është e kufizuar vetëm në ambjentin familjar por shtrihet në mjedise të tjera si në punë, në shkollë, apo mjedise publike. Në Shqipëri dhuna ndaj grave, së paku në dhjetëvjeçarin e fundit, ka patur një trajektore të dhimbshme, me dhjetra ngjarje makabre në humbje jete, të cilat kanë shokuar të gjithë opinionin publik. Përtej shifrave statistikore të cilat kanë një rëndësi, ajo që ne si shoqëri dhe mbi të gjitha shteti kanë përgjegjësi është parandalimi, buxhetimi i duhur dhe efikasiteti i legjislacionit ndaj eliminimit të dhunës ndaj grave e vajzave”, ”, shkroi Pampuri në rrjetet sociale.
Ajo u shpreh se projekbuxheti 2024 nuk parashikon asnjë program të orientuar ndaj parandalimit të dhunës ndaj grave.
“Ndaj nevojitet me përparësi rishikimi i kodit penal për ashpërsimin e mëtejshëm ndaj dhunuesve dhe veprave penale të dhunës verbale e fizike me bazë gjinore në familje dhe punë. Po ashtu efikasiteti i mekanizmit kombëtar të mbrotjes së viktimave të dhunës, kufizimi i procedurave burokratike dhe krijimi i në baze të dhënash të dhunuesve, përfshirë të rasteve kur denoncuesi mund të tërhiqet për shkaqe intimiduese, sociale, apo ekonomike, duhet të adresohen me përparësi”, shkroi Pampuri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




