Ngjarja e rëndë në Dajç të Lezhës, Manja: Gjin Gjoni të mbajë përgjegjësi ligjore dhe politike

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, njëherësh ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar për ngjarjen e djeshme që ndodhi në Dajç të Lezhës, ku u kërcënuan me armë babai, motra dhe gjithë shtabi elektoral i kandidates për deputete të Partisë Socialiste, Klotilda Ndreca.
Përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook, Manja shkruan se ky është një akt i patolerueshëm që shkon përtej çdo kufiri të konfliktit politik.
Për këtë arsye, ai ka theksuar se kandidati i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni duhet të marrë përgjegjësinë ligjore dhe politike që sipas Manjës, ka nxitur një klimë të dhunshme në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë.
“Kandidati Gjin Gjoni duhet të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore për klimën e dhunshme që po nxit në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Nëse dëshiron të shfaqet si trim, le t’i qëndrojë deri në fund kësaj strategjie të frikësimit dhe të mos bëjë “shokun e trimit”, duke manipuluar ngjarjen nga frika e ndëshkimit, por t’i dalë për zot trimnisë së tij e jo të fshihet pas gishtit!
Ngjarja ka prova filmike dhe audio që vërtetojnë qartë kërcënimet dhe dhunën dhe i ka në dispozicion hetimi. Koha kur Gjini ndërtonte vetë vendngjarjet me “çekiçin” e drejtësisë së vjetër ka marrë fund me Reformën në Drejtësi.
Reformën në drejtësi dhe SPAK-un i ngritëm pikërisht për raste si ky – që askush të mos fshihet më pas pushtetit apo lidhjeve politike, por të jetë i barabartë përpara ligjit. Ky rast është tashmë në duart e drejtësisë së re dhe nuk do të tolerohet asnjë përpjekje për ta zvarritur apo deformuar. Gjin Gjoni dhe kushdo tjetër që mendon si ai do të mbajnë përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin e klimës së tensionuar dhe për prishjen e atmosferës politike në qarkun e Lezhës”, shkruan Manja.
Manja thekson më tej se ka informuar zyrtarisht misionin e vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR për ngjarjen në Dajç dhe “si drejtues politik i PS për qarkun Lezhë, u kam garantuar angazhimin tim personal dhe të partisë”.
“Sot kam informuar zyrtarisht misionin e vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR për ngjarjen në Dajç dhe, si drejtues politik i PS për qarkun Lezhë, u kam garantuar angazhimin tim personal dhe të partisë që përfaqësoj për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të qetë.
Për ne socialistët, kjo që po ndodh këto ditë të fundit me PD-në lokale dhe atë në qendër, është një film i vjetër që e kemi parë në 10 fushata me radhë. Fundin e dimë – jo vetëm ne, por çdo shqiptar. Dhe kështu do ndodhë edhe më 11 maj, mbajeni mend:
• Në takimet përmbyllëse do të shpallin fitoren dhe do të këndojnë himnin,
• Në mëngjes do fillojnë të varin veshët,
• Në drekë do zvarritin numërimin me justifikime banale,
• Në darkë do thonë: “Na i vodhën prapë!”
Me të njëjtin regjisor nuk mund të ketë një film ndryshe! Më 11 maj, ne do t’i mundim për herë të dhjetë PD+ASHM & Co!”, thekson Manja.
Manja ka ftuar gjithë mbështetësit e Partisë Socialiste të mos bien pre e provokimeve dhe tensioneve të qëllimshme, ndërsa shtoi se “ne do të fitojmë me qytetari, me projekt dhe me angazhim – jo me armë dhe kërcënime. Ne distancohemi qartësisht nga çdo akt dhune apo veprim antiligjor që cenon zgjedhjet e lira dhe kërkojmë nga institucionet kompetente të hetojnë çdo shkelje të ligjit zgjedhor, pa asnjë përjashtim!”
Nga ana e tij, kandidati i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni ka reaguar duke theksuar se nuk i trembet intrigave e shpifjeve.
Ai ka mbajtur një deklaratë publike ku ka theksuar përkushtimin e tij në mbrojtje të votës së lirë dhe denoncimin e asaj që e cilëson si ndërhyrje dhe deformim të procesit zgjedhor nga individë të lidhur me aferën famëkeqe “Dosja 184”.
“Jam në këtë sfidë për të folur hapur me qytetarët, me sinqeritet, si njëri prej tyre. Kauza që na bashkon është më e madhe se çdo emër dhe më e fortë se çdo intrigë. Ata që janë përfshirë në deformimin e zgjedhjeve nuk kanë të drejtë morale as politike të fshihen pas retorikës së rreme e shpifjeve”, tha Gjoni.
Duke u distancuar qartë nga çdo tentativë për intimidim politik, ai theksoi se nuk do të lejojë që demokratët të përulen përballë “kriminelëve elektoralë”, duke e konsideruar Partinë Demokratike si një forcë të guximit dhe të lirisë.
“Unë, Gjin Gjoni, qëndroj në këtë garë me ndërgjegje të pastër, kokën lart, dhe një qëllim të vetëm: të udhëheq PD-në drejt fitores dhe të mbroj vullnetin e qytetarëve. E ardhmja nuk ndërtohet me frikë, por me kurajo. Ndryshimin nuk e ndalin dot ata që janë përdorur nga Rilindja në ikje,” u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





