PS dhe PD akuza të ndërsjella për blerje votash në Lezhë, socialistët kallëzojnë kandidatin demokrat Gjin Gjoni

Politikë | 1 vit më parë

Fushata zgjedhore në qarkun e Lezhës po shoqërohet me tensione dhe akuza të forta mes dy kampeve të mëdha politike. Kandidati për deputet i Partisë Demokratike Gjin Gjoni, ka akuzuar disa zyrtarë lokalë si të përfshirë në blerje votash.

“Me afrimin e datës së zgjedhjeve, po shfaqen gjithnjë e më hapur elementë që po përpiqen të deformojnë vullnetin e qytetarëve përmes blerjes së votës. I bëj thirrje publike SPAK dhe organeve të drejtësisë të veprojnë menjëherë ndaj këtyre personave, për të shmangur përplasjet dhe tensionet që mund të lindin. Ne nuk do të lejojmë që demokracia të nëpërkëmbet. Kushdo që do tentojë të prekë votën e lirë do të na ketë përballë”, shkruan ai.

Ndërkohë Partia Socialiste reagoi përmes kandidatit të saj për deputet, Ermal Paci, i cili paraditen e sotme shkoi në Drejtorinë e Policisë së Lezhës për të depozituar një kallëzim penal ndaj zotit Gjoni.

“Kemi depozituar një kallëzimpenal për kandidatin e PD, zoti Gjion Gjoni, i cili prej javësh në rrjetet e tij sociale në mënyrë permanente ka akuzuar drejtuesit e shtabeve të PS, drejtues të PS në zona si kriminelë elektoralë”, tha Paci.

Një tjetër kallëzim PS ka bërë në orët e vona të së dielës.

“Në pronën e babait të kandidates sonë për deputete, njerëz të armatosur janë paraqitur duke i kërcënuar se ‘do ju marrim peng’, kryetarin e PS dhe babanë e kandidates”, deklaroi Paci.

Ndërkohë policia e Lezhës bën më dije se ka nisur verifikimet pas pretendimeve të Partisë Socialiste për kërcënime dhe po vijojnë hetimet në lidhje me rastin për të cilin pretendon selia rozë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme