Nikolla: PABSEC do të vijojë si një kontributore e paqes, kundër dhunës, konflikteve dhe agresioneve

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla drejtoi sot punimet e seancës së 63-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.
Në përfundim të Presidencës së Kuvendit të Shqipërisë në këtë organizatë, kryetarja e Kuvendit Nikolla falenderoi Sekretariatin e PABSEC dhe personalisht Sekretarin e Përgjithshëm, Asaf Haxhijev, për mbështetjen e madhe për kurorëzimin me sukses të Presidencës shqiptare.
Gjatë fjalës të saj, kreu i kuvendit theksoi se, “PABSEC, ashtu si gjithë rajoni i Detit të Zi, Europa Jug-Lindore, Lindja e Mesme, Mesdheu, Europa vetë, madje gjithë bota e sotme, po jetojnë ditë jo të mira. Vështirësive të zakonshme u janë shtuar dy luftërat që zhvillohen njëra brenda rajonit tonë dhe tjetra në periferi të tij. Këto situata vështirësuan, por nuk penguan dhe nuk do të mund të pengojnë as në të ardhmen bashkëpunimin mes vendeve tona, mes popujve e njerëzve tanë, me kultura, besime, histori dhe tradita të ndryshme zhvillimi. Pavarësisht këtyre implikimeve, organizata jonë ka qenë dhe do të vijojë të mbetet e hapur për bashkëpunime më të gjera, në rajon dhe përtej rajonit, duke qenë, si deri tani një kontributore dhe nxitëse e paqes, kundër dhunës, konflikteve dhe agresioneve”, tha Nikolla.
Sipas saj, miqësia, mirëkuptimi, respekti reciprok dhe mosndërhyrja në punët e brendshme si vizioni dhe thelbi i bashkëpunimit midis vendeve tona, do të vijojnë të jenë udhëharta e Organizatës.
“Në këtë mënyrë ne u përgjigjemi aspiratave të kombeve tona, të popujve dhe të qytetarëve tanë, të cilët shumëfishojnë vlerat e Organizatës dhe frymëzojnë bashkëpunimin tonë. Vështirësitë që po përjetojmë nuk kanë munduar dhe nuk do të mundin të na errësojnë logjikën e vetëdijen dhe as të na devijojnë nga rruga e miqësisë dhe e mirëkuptimit. Mozaiku i kulturave dhe vlerave tona, të përbashkëta dhe të veçanta, do të mbijetojë dhe do të avancojë”, tha Nikolla.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë si edhe të popullit shqiptar, Nikolla shprehu vendosmërinë dhe angazhimin e Shqipërisë si një anëtare themeluese e PABSEC.
“Për të kontribuar që dialogu, jo konfliktet të jenë rruga jonë e bashkëpunimit. Që toleranca dhe paqja të na udhëheqin në bashkëpunimin tonë me rajonet e tjera, Mesdheun, Europën e më gjerë. Që të ekzistojmë si një organizatë rajonale me përgjegjësi globale. Që si një organizatë e bashkëpunimit parlamentar, të nxisim bashkëpunimin e qeverive, institucioneve dhe njerëzve të vendeve tona”, theksoi Nikolla.
Në sesionin e hapjes së kësaj seance përshëndeti Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, Presidente e radhës e PABSEC, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Kryetar i radhës i BSEC, dhe Sekretari i Përgjithshëm i PABSEC, Asaf Hajiyev.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




