Një helikopter ushtarak rus shkel hapësirën ajrore polake

Europë | 38 minuta më parë

Një helikopter ushtarak rus ka shkelur hapësirën ajrore të Polonisë të mërkurën paradite, duke shtuar tensionet mes Moskës dhe NATO-s.
Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura polake njoftoi se rreth orës 11:00, një Mi-8 i ushtrisë ruse kaloi nga Kaliningradi dhe hyri rreth 300 metra në territorin polak pranë qytetit Braniewo, ku qëndroi për 42 sekonda.

Menjëherë, ushtria polake ngriti avionë luftarakë dhe vendosi forcat tokësore në gatishmëri.

“Natyrën e incidentit e shohim si një test të gatishmërisë së mbrojtjes sonë ajrore,” deklaroi komanda operacionale. Deri tani, Moska nuk ka dhënë koment mbi ngjarjen.

Ky është rasti i parë i raportuar publikisht kur një helikopter ushtarak rus kalon kufirin tokësor të Polonisë. Vitin e kaluar, një bombardues Su-24 dhe një helikopter detar rus fluturuan mbi ujërat territoriale polake në Baltik.

Në vitin 2023, dy helikopterë bjellorusë hynë për pak minuta në hapësirën ajrore polake.

Në shtator të vitit të kaluar, rreth 20 dronë rusë kaluan kufirin lindor të Polonisë gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.

Disa u rrëzuan nga forcat polake dhe aleate, ndërsa të tjerë ranë në tokë pa shkaktuar viktima. Në korrik të këtij viti, një raketë ruse Kh-101 me ngarkesë shpërthyese hyri në hapësirën ajrore polake dhe ra në një fushë në lindje të vendit.

Autoritetet polake dhe vendet e tjera të NATO-s kanë paralajmëruar se Rusia po planifikon provokime të reja për të testuar mbrojtjen dhe unitetin e aleancës.
Në javët e fundit, avionë rusë janë interceptuar pranë ujërave territoriale polake në Baltik, ndërsa dronë rusë kanë goditur objektiva në Ukrainë afër kufirit polak, përfshirë një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Kievi drejt Varshavës.

Javën e kaluar, kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi se, sipas burimeve të inteligjencës, Rusia po planifikon sulme me dronë dhe raketa ndaj vendeve lindore të NATO-s, të cilat mund t’i paraqesë si “aksidentale”.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme