“Pasqyra e Çmimeve” në funksionim në 10-ditëshin e parë të tetorit”, Ibrahimaj: Fillimisht do të përfshijë 160 produkte

Ekonomi | 53 minuta më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur se platforma “Pasqyra e Çmimeve”, një nga nismat më të reja të qeverisë për rritjen e transparencës në treg, ndodhet në fazat përfundimtare të përgatitjes dhe pritet të vihet në funksion brenda 10-ditëshit të parë të muajit tetor.

Duke folur në konferencën për shtyp, Ibrahimaj iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me ecurinë e projektit dhe produktet që do të përfshihen në platformë, duke theksuar se puna për finalizimin e saj është drejt përfundimit.

“Pasqyra e Çmimeve” është një nismë e re që Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka ndërmarrë. Siç kemi shpjeguar, ne jemi duke punuar për të ndërtuar platformën, e cila aktualisht është në fazat përfundimtare të përgatitjes”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, në fazën e parë platforma do të përmbajë të paktën 160 produkte që përdoren më së shumti nga familjet shqiptare, duke u kthyer në një instrument informues për konsumatorët.

“Ne presim që në 10-ditëshin e parë të tetorit platforma të jetë funksionale me një numër minimal prej 160 produktesh. Jemi duke rakorduar me marketet kryesore listën finale të produkteve, e cila do të përbëhet nga produktet kryesore të shportës. Do të jenë ushqime, por edhe produkte të higjienës së përditshme, të cilat përdoren më së shumti nga familjet shqiptare”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se krahas platformës po zhvillohet edhe një iniciativë tjetër në bashkëpunim me supermarketet, importuesit dhe prodhuesit kryesorë, me synimin për të garantuar çmime më të qëndrueshme për disa produkte bazë.

“Jemi duke punuar me rrjetin e supermarketeve, por edhe me rrjetet e importuesve dhe prodhuesve, që janë furnitorët kryesorë të tyre, për të detajuar një listë produktesh për të cilat supermarketet, importuesit dhe prodhuesit kryesorë kanë vendosur t’i tregtojnë për një periudhë tremujore me çmime fikse dhe me fitim minimal”, shpjegoi ajo.

Sipas Ibrahimajt, si platforma “Pasqyra e Çmimeve”, ashtu edhe lista e produkteve që do të tregtohen me çmime fikse për një periudhë tre mujore, do të jenë aktive brenda afatit të parashikuar.

“Të dyja këto do të jenë live brenda 10-ditëshit të parë të tetorit, ashtu siç e kemi njoftuar edhe më parë”, përfundoi ministrja.

Në fund ajo theksoi se kjo nismë synon t’u japë konsumatorëve mundësinë të krahasojnë çmimet e produkteve bazë në markete të ndryshme, duke rritur transparencën në treg dhe duke nxitur konkurrencën mes operatorëve ekonomikë.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme