PD, Basha: SPAK t’i shkojë deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duket se po merr një pozicion më të qartë, në lidhje punën e SPAK-ut për të vënë përpara drejtësisë funksionarë të lartë shtetëror, të cilët kanë abuzuar me pushtetin për përfitime personale dhe në interes të të afërmeve të tyre.
Deri tani janë një sërë figurash të nivelit të lartë të cilët po përballen me drejtësinë me akuzën për korrupsion ku spikasin ish- kryeministri, Sali Berisha dhe ish- zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj. Nën akuza për korrupsion ndodhen edhe shumë zyrtarë dhe ish- zyrtarë të niveleve të ndryshme.
Nisur nga kjo dinamikë zhvillimesh, kanë filluar të artikulohen edhe qëndrimet më të qarta të disa politikanëve, ndonëse nuk u referohen me emra konkret personazheve që po përballen me drejtësinë.
Ish bashkëpunëtori i ngushtë i Berishës për disa vite me rradhë, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryetar i PD-së zyrtare, gjatë një turi takimesh në njësinë 7 në kryeqytet u shpreh haptazi në mbështetje të SPAK-ut në hetimet që ai po zhvillon ndaj zyrtarëve dhe ish- zyrtarëve të lartë që akuzohen për korrupsion.
“Ne mbështesim dhe inkurajojmë SPAK-un t’i shkojë deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar që po varfërojnë dhe zbrazin Shqipërinë.”, deklaroi Basha.
Sipas tij, lufta kundër korrupsionit është për Partinë Demokratike prioriteti kryesor.
Basha, ndërkohë ka hedhur edhe mesazhe pajtimi për të gjithë anëtarësinë e PD-së, duke u shprehur se “dora jonë është e shtrirë ndaj të gjithë demokratëve kontribues të pakursyer të Partisë Demokratike ndër vite, të cilët ndajnë të njëjtat vlera me ne”.
“Të gjithë kanë një vend në Partinë e madhe Demokratike, të gjithë mund të bashkohen pa asnjë kufizim, në çdo çast, në çdo moment janë të mirëpritur për të ndërtuar një aleancë të madhe, jo thjesht mes demokratëve, por edhe me shoqërinë shqiptare. PD është shtëpia e të gjithë të djathtëve shqiptarë, është shtëpia e të gjithë demokratëve.”, tha Basha gjatë takimit me drejtues të disa grupseksioneve të PD në Degën 7.
Sipas tij, tani ka nisur ndërtimi i një PD-je moderne, partinë e qytetarëve dhe anëtarëve dhe jo partinë e kryetarit, pasi, sipas tij, “kryetarët ikin e vijnë, por demokratët dhe PD do të jetë aty për të luftuar vetëm për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
“Pa qëndresën e anëtarëve dhe drejtuesve, nga seksioni deri te kryesia e PD-së, ne nuk do të ishim sot këtu, në nisje të kësaj rruge të re për PD-në”, tha Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




