PE thirrje Shqipërisë: Përmbushni kriteret e anëtarësimit deri në 2030!

Politikë | 3 vite më parë

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian ka miratuar të mërkurën raportin vjetor për Shqipërinë ku vlerëson reformat e arritura dhe udhëzon vazhdimin e tyre. 

Mes rekomandimeve dallon përcaktimi i vitit 2030 si kufi për arritjen e reformave që i nevojiten anëtarësimit bashkë me kryerjen urgjente të reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Shqipëria është një aleat i rëndësishëm gjeopolitik dhe një partner i besueshëm. Kanë qenë eurodeputetët 
e Komitetit të Jashtëm që në diskutimin e raportit vjetor për Shqipërinë, kanë ndarë në thirrjen e tyre për të ruajtur fokusin e reformave integruese faktin e rëndësisë së Shqipërisë për Bashkimin Europian. 

Ndërsa e kanë miratuar raportin të mërkurën me 52 vota pro, 5 kundër dhe 10 abstenime, eurodeputetët e Komisionit të Jashtëm përshëndesin angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE, duke vënë në dukje se ai është një reflektim i konsensusit mes partive politike dhe i mbështetjes dërrmuese të qytetarëve. 

Shqipëria është një partner i besueshëm i politikës së jashtme dhe mbetet një aleat i rëndësishëm gjeopolitik falë përpjekjeve të saj për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, thuhet në raport. Eurodeputetët mirëpresin që qeveria ka mbajtur fokusin e saj në reformat në lidhje me BE-në, ka përforcuar strukturën e saj koordinuese për integrimin evropian dhe rolin e parlamentit në procesin e integrimit në BE duke amenduar ligjin përkatës. Në të njëjtën kohë thirrja e raportit është që vendimmarrësit të punojnë së bashku drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit jo më vonë se 2030. 

Shpallja e një objektivi të tillë i jep një lloj date pritmërisë europiane për anëtarësimin e Shqipërisë, ndërsa eurodeputetët i kërkojnë qeverisë të intensifikojë përpjekjet në forcimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, gjyqësorit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

“Shqipëria ka demonstruar një angazhim të thellë në procesin e integrimit duke zbatuar reforma të vështira. Rezultati i votimit të sotëm tregon njohjen e këtyre përpjekjeve nga Parlamenti Evropian dhe përafrimin e plotë të Shqipërisë me BE-në e Jashtme të Përbashkëta dhe Politika e Sigurisë. Është njohja e meritës së treguar nga vendi në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE” tha Eurodeputetja Isabel Santos, raportere për Shqipërinë. 

Po ashtu sipas raportit, vendi duhet të garantojë lirinë e medias duke shtruar detyrën e miratimit të një kuadri ligjor që mbron gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe palët e tjera të interesuara nga paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike. 
Dokumenti thekson se qeveria duhet të avancojë më tej axhendën e reformave të BE-së në bashkëpunim me opozitën dhe të gjitha segmentet e shoqërisë. Raporti dënon konfrontimin e qëndrueshëm politik, veprimet përçarëse dhe retorikën nxitëse nga politikanët dhe zyrtarët e nivelit të lartë, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një kulture parlamentare konstruktive duke nxitur konsensusin midis të gjithë aktorëve politikë. 

Eurodeputetët shprehin keqardhjen që partitë kryesore politike nuk arritën një marrëveshje për reformën zgjedhore dhe u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të zbatojnë urgjentisht ndryshimet e pazgjidhura në kuadrin e financimit të zgjedhjeve dhe partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës. Po ashtu raporti thekson nevojën për përpjekje më të strukturuara dhe të qëndrueshme për të luftuar korrupsionin, përfshirë nivelet e larta, si dhe për të trajtuar kulturën e mosndëshkimit. 

Eurodeputetët bëjnë thirrje për rezultate shtesë në luftën kundër krimit kibernetik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave. Së fundi, eurodeputetët vënë në dukje se Shqipëria është shënjestruar shumë nga dezinformimi rus dhe sulme të tjera hibride dhe duhet të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës së saj kritike, sigurinë kibernetike, kundër-dezinformimin dhe masat e tranzicionit energjetik.

/ RTSH /

 

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme