Përplasja e trenave në Spanjë, humbin jetën 39 persona, plagosen qindra të tjerë

Botë | 8 muaj më parë

Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe rreth 152 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një përplasje trenash në Spanjën jugore.

Një tren me shpejtësi të lartë, Iryo, që udhëtonte nga Malaga në Madrid doli nga shinat pranë Adamuz, duke kaluar në shinat e tjera ku u përplas me një tren që po vinte përballë. Operatori i rrjetit hekurudhor Adif tha se përplasja ndodhi rreth dhjetë minuta pasi treni u nis nga Malaga në orën 18:40 sipas kohës lokale (17:40 GMT) duke u drejtuar për në Madrid, pasi doli nga shinat në një pjesë të drejtë të binarit.

Treni i dytë, i operuar nga Renfe i financuar nga shteti, po udhëtonte me rreth 200 km/orë (124 mph) në momentin e përplasjes. Autoritetet thanë se edhe treni i dytë doli nga shinat dhe ra në një argjinaturë.

Katërqind pasagjerë dhe stafi ishin në të dy trenat. Të paktën 24 persona u plagosën rëndë në përplasje, përfshirë katër fëmijë.

Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, e përshkroi incidentin si “jashtëzakonisht të çuditshëm”, ndërsa zyrtarët nisën një hetim.

“Të gjithë ekspertët e hekurudhave të konsultuar nga qeveria “janë jashtëzakonisht të hutuar nga aksidenti. Forca e përplasjes i shtyu vagonët e trenit të dytë në një digë. Shumica e të vrarëve dhe të plagosurve ishin në vagonët e përparmë të trenit të dytë. Shkaku i aksidentit nuk dihet ende. Është “shumë e çuditshme” që një dalje nga shinat të ketë ndodhur në një pjesë të drejtë të binarit. Ky seksion i binarit u rinovua në maj”, deklaroi Puente.

Lloji i trenit të përfshirë në aksident ishte një Freccia 1000, i cili mund të arrijë shpejtësi maksimale prej 400 km/orë (250 mph), tha për agjencinë e lajmeve Reuters një zëdhënës i kompanisë hekurudhore italiane Ferrovie dello Stato.

Ekipet e shpëtimit thanë se rrënojat e përdredhura të trenave e bënë të vështirë nxjerrjen e njerëzve të bllokuar brenda vagonëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme