Pjesëmarrja në zgjedhje, kreu i KQZ optimist: Presim mbi 1.6 milionë votues

Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, pohoi në emisionin “Pa Censurë”, se atij nuk i ka ardhur njoftimi në shtëpi nga bashkia për vendin e votimit dhe numrin e votuesit, por ai beson se fushata e kryer nga KQZ është ndër më të mirat për informimin e zgjedhësve dhe pjesëmarrja do të jetë e lartë.
“Nuk mund të jap një parashikim, por pritshmëria është që kjo pjesëmarrje të jetë më e lartë se 1.6 milionë votues”- u shpreh zoti Celibashi gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë, në RTSH.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2021 morën pjesë 1.66 milionë votues.
“Sllogani ynë është “Voto që të dëgjohesh”. Nëse nuk voton, nuk të dëgjon njeri”- tha zoti Celibashi, i cili iu përgjigj edhe shqetësimit të opozitës për ndryshimin e qendrës së votimit për mbi 1 milionë votues.
Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet e konfirmoi këtë numër, por ai tha se nuk ka vend për shqetësim.
“Nuk ka ndryshime të adresës së vendndodhjes së QV. Ka lëvizje brenda për brenda fraksioneve. Pra, mbetet e njëjta shkollë përshembull, por mund të ndryshojë kati ku ndodhet QV brenda të njëjtës shkollë.”- tha ai.
Zoti Celibashi tha se ky ndryshim ka ndodhur, pasi listat e votuesve tani hartohen sipas kodit të vendbanimit të votuesit dhe më pas renditen sipas mbiemrit.
Në lidhje me detyrimin e Kodit Zgjedhor për njoftimin e qytetaraëve për QV dhe numrin e votuesit nga njësia bashkiake, zoti Celibashi pranoi se ka anomali.
“Nuk e kam iluzionin që çdo zgjedhës është njoftuar. Për hir të së vërtetës nuk besoj se është e mundur që çdo zgjedhës të lajmërohet individualisht. Nga të gjitha bashkitë është raportuar se ky proces është kryer nga 70-100%. P.sh, unë nuk jam njoftuar, por di që komshinjtë e mi janë njoftuar”- tha kreu i KQZ-së për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




