PL, Milo: Raporti i Bankës Botërore tregon se ekonomia shqiptare po përkeqësohet

Sekretari për Çështjet e Financave dhe Ekonomisë në Partinë e Lirisë, Petraq Milo, deklaroi të martën se ka një përkeqësim të ekonomisë në vend, bazuar sipas tij, në disa të dhëna nga raporti i Bankës Botërore.
“Në raportin e muajit tetor mbi ecurinë ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për disa tregues kryesor ekonomik, financiar dhe social të Shqipërisë perspektiva mbetet e pandryshuar ose dhe e përkeqësuar krahasuar me vendet e rajonit”, tha Milo.
Sipas tij, Shqipëria nuk po arrin të zvogëlojë diferencën e volumit të eksporteve krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, përkundrazi kjo diferencë po thellohet.
“Shqipëria eksporton rreth 5.7 herë më pak se mesatarja e vendeve të rajonit, duke rezultuar si ekonomia më pak konkurruese në rajon”, tha Milo.
Ai foli dhe për rënie të importeve, çka sipas tij, është një tregues i ngadalësimit të konsumit si të popullatës dhe të vetë prodhimit.
Sipas Milos, Shqipëria renditet në vendin e fundit në rajon edhe sa i takon treguesve të tjerë si niveli i të ardhurave, shpenzimeve publike, investimeve të huaja, apo nivelin e të ardhurave sipas fuqisë blerëse.
“Parashikimi i nivelit të varfërisë tregon që Shqipëria mbetet vendi me përqindjen më të lartë të varfërisë, por dhe që diferenca me vendet e rajonit po thellohet”, theksoi Milo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




