Plani i Motivimit të Administratës Publike, Rama: Fleksibilitet në orarin e punës, kryesore mirëqenia e punonjësve

Politikë | 2 vite më parë

Është prezantuar këtë të mërkurë (29 maj) Plani i Motivimit të Administratës Publike, pjesë e sfidës së Shqipërisë 2030 për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit shqiptar në shërbim të interesave të vendit e të qytetarëve.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama tha se në plan të parë do të jetë mirëqenia e punonjësve në administratën publike, duke e vënë theksin te nevoja për fleksibilitet në orarin e punës.

“Është e panevojshme që të jetë kjo ngarkesë, duke patur parasysh edhe nënat e reja që kanë fëmijë, mund të ketë edhe shkëputje për të shkuar për t’u kujdesur për fëmijët, për prindërit e moshuar për vjehrrit. Mirëqenia  shpirtërore, psikologjike e punonjësve, sidomos në administratën publike është e dorës së parë. Shumëkush akoma jeton me idenë e krijuar të në administrate që është një çerdhe njerëzish që gjithë ditën lëvizin lekë nga njëri xhep te tjetri, që punojnë si të vjedhin etj., që është një perceptim i ngritur në mënyrë sistematike dhe natyrisht pastaj ilustrohet me shembuj të caktuar keqbërësish në administratë që po ekspozohen nga drejtësia. Fakti që sot publiku ballafaqohet me më shumë raste që i sheh, nuk tregon që korrupsioni është rritur, por që po luftohet seriozisht. Por është e padrejtë që për shkak të një pjesë të njerëzve të shikohet e gjithë masa e madhe e atyre  që punojnë si e njollosur”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nuk la pa përmendur edhe rritjen e pagave, teksa tha se do të hyjë në fuqi në qershor. Paga mesatare në sektorin publik do të jetë 900 euro.

“Në qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave dhe të gjithë do kenë një rritje në pagën e tyre dhe arrijnë objektivin që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro. Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që kemi dhe paga e radhës do jetë paga e rritur dhe është një rritje shumë e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin, nga vjet në sivjet janë 400 mln në total që janë vendosur për kapitalin njerëzor. Nuk është një rritje që ne e shikojmë si fundin e procesit, por është një rritje domethënëse për një periudhë të caktuar kohe”, u shpreh kryeministri.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme