Porti i Durrësit dhe Sazani, Tabaku: Ligjet e qeverisë me porosi, përgjegjësitë i kalojnë kolektivit

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, deklaroi të enjten se plani për rindërtimin e Portit të Durrësit dhe zhvillimin e Sazanit në një destinacion të ri turistik po kryhen në prapaskenë dhe janë mirëmenduar për t’i shërbyer pak personave në qeveri.
Para një replike në parlament me ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, e cila e konsideroi investimin në Durrës të një rëndësie madje ballkanike, znj. Tabaku u shpreh se ligje të caktuara për investimet strategjike po ndryshohen pa u konsultuar me aktorët e tjerë.
“Qëllimi dhe arsyeja e vërtetë se përse është ndryshuar ky akt normativ shprehet me ndryshimet në fondin për Portin e Durrësit. Një rishikim i buxhetit që vjen menjëherë pas hyrjes në fuqi edhe për taksën e profesionistëve të lirë, i cili do të jetë një realitet i ri për të gjithë nga data 1 prill. Fakti është që ndryshimi i parë kalon pothuajse 80 milionë euro për shumën totale të portit të Durrësit në 390 milionë euro, që u premtua se nuk do të ishte kjo mënyra si do të ndërtohej Porti i ri i Durrësit. E njëjta skemë u ndoq me Teatrin Kombëtar, do të ndërtohet po me të njëjtën skemë. Më pas me të njëjtën formulë u shty për herë të pestë ligji për investimet strategjike, që në 75 për qind të rasteve ka dhënë leje për rezorte turistike në jug të Shqipërisë edhe në zona të mbrojtura: Butrinti, njëra prej tyre. Unë nuk them se në këto 30 vite nuk ka pasur ndërtime në zonat e mbrojtura nga Vlora në Butrint, mirëpo këto veprime hasin dy probleme të mëdha: angaria për të ngritur pune dhe për t’i përdorur si justifikime. Nga ana tjetër, sigurisht edhe përgjegjësia që del nga firma e këtyre zyrtarëve. Për rrjedhojë, zgjidhja që zbuloi qeveria ishte heqja e përgjegjësisë: nga përgjegjësia individuale t’ia kalojmë Këshillit Kombëtar të Territorit, nga përgjegjësia e Drejtorëve t’ia kalojmë parlamentit, nga përgjegjësia e ministrave t’ia çojmë përgjegjësisë kolektive.
Këto tre ligje tregojnë atë që kemi vite që e themi: bërjen e ligjeve me porosi, sikundër edhe dëshmojnë frikën që kanë sot nga drejtësia. Të tria ndryshimet ligjore erdhën kur media ndërkombëtare dhe interesi publik u njoftuan për zhvillimin e zonës së Sazanit dhe u konfirmua se tashmë është në planin e qeverisë për t’ia dhënë ndërtimin një kompanie serioze rezortesh turistike. Duke ditur garën e humbur me të gjitha vendet e rajonit për investimet e huaja serioze, por njëkohësisht edhe për vendet e humbura të punës si rezultat, sot mendoj se qeveria po e sheh edhe turizmin, edhe ekonominë gabim. Në qoftë se ky projekt paska qenë kaq strategjik, kaq i rëndësishëm për Shqipërinë, pse nuk erdhi të diskutohej këtu. Apo duhet ta bëjmë fakt në parlament. Kjo nuk do të thotë se turizmi nuk duhet të zhvillohet, por të zbatohen rregullat, ligjet, parimet dhe standardet,” deklaroi deputetja Tabaku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




