Presidenti Begaj pret një përfaqësi nga Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë

Politikë | 4 vite më parë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot një përfaqësi të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Presidenti i këtij Këshilli, Ambasadori, Timothy A. Chorba.

Kjo përfaqësi e ish-diplomatëve të lartë amerikanë, po viziton Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal faktmbledhës për tre vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
 
Pasi vlerësoi marrdhëniet e shkëlqyera dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe shprehu mirënjohjen për atë çka ato kanë bërë për pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, Presidenti Begaj i njohu ish-diplomatët amerikanë me reformat dhe hapat e ndërmarra për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor.

“Presidenti Begaj u ndal në kontributin e Shqipërisë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e frymës së fqinjësisë së mire në rajon, duke nënvizuar edhe mbështetjen që Shqipëria i jep dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja alternative për arritjen e një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme, me në qendër njohjen e ndërsjellë të tyre.
 
Duke iu referuar kushteve të reja gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, Presidenti Begaj, nënvizoi qasjen e re të Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe i njohu të pranishmit me çeljen e negociatave të aderimit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut,” informon zyra e shtypit e presidencës.
 
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zhvillimeve në Ukrainë, si dhe rolit e kontributit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në dënimin e agresionit rus dhe në mbrojtje të parimeve të Kartës së OKB-së dhe rendit botëror.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme