Presidenti i Republikës inkurajon Diasporën: Mbani kontaktet dhe kontribuoni për vendlindjen

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot një grup aktivistësh të Diasporës të ardhur nga 11 shtete të ndryshme të SHBA-ve, përfaqësues të organizatave GERMIN dhe Global Albanians Foundation (GAF).
Ky takim, i zhvilluar në prag të festave të nëntorit, mbart një simbolikë domethënëse për forcimin e lidhjeve me Diasporën, roli i së cilës është pjesë e rëndësishme e agjendës së Kreut të Shtetit.
Ndërsa ndau me pjesëmarrësit impresionet nga takimet e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët i ka takuar gjatë vizitave zyrtare, Presidenti Begaj vlerësoi veprimtarinë e përbashkët të tyre për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit dhe lidhjen me origjinën.
Kreu i Shtetit rikonfirmoi edhe në këtë takim qëndrimin e tij se Diaspora mbetet një ndër shtyllat më të rëndësishme të kombit shqiptar në politikë, kulturë, ekonomi dhe identitet.
Teksa u njoh me rezultatet e programin e OriginAL, që synon lidhjen e të rinjve të Diasporës me vendlindjen, Presidenti Begaj u shpreh se të rinjtë janë ata që përfaqësojnë kapitullin e ardhshëm të marrëdhënieve Shqipëri–Diasporë.
“Çdo kontributi juaji është i mirëpritur. Ju jeni ylli shqiptar që shkëlqen kudo e i sillni Shqipërisë energjinë pozitive, ekspertizë dhe më shumë mundësi zhvillimi”, – u shpreh Presidenti i Republikës.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohje ndaj pjesëmarrësve për ndihmat e dhëna pas tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri dhe gjatë periudhës së pandemisë.
Gjithashtu, i përgëzoi ata për donacionet që japin për shoqatat jofitimprurëse në Shqipëri, Kosovë, por dhe në vendet e tjera të rajonit ku banojnë shqiptarë.
Presidenti i Republikës i inkurajoi veprimtarët e Diasporës për të mbajtur kontaktet mes njëri-tjetrit, për të shkëmbyer vizita dhe për të kontribuar secili në mënyrën që mundet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.






