Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri, Edi Rama, vijojnë replikat në distancë, nëpërmjet rrjeteve sociale

Politikë | 6 vite më parë

Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri, Edi Rama, vijojnë replikat në distancë, nëpërmjet rrjeteve sociale. Përmes një postimi në Facebook, presidenti Ilir Meta shkruan se “Rama ka ofenduar sërish dëshmorët e Atdheut”. Zoti Meta, duke e quajtur Ramën si “Esati i Rilindjes”, shkruan se numërimi mbrapsht për të ka filluar dhe nuk do ndalet deri në 25 prill.

“Esati i Rilindjes, zëdhënësi i armiqve të Kombit Shqiptar, guxoi sërish sot të marrë nëpër gojë Vojo Kushin, duke ofenduar për të disatën herë Dëshmorët e Atdheut, familjarët e tyre, veteranët dhe të gjithë shqiptarët që nderojnë dhe krenohen me vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Esati i Rilindjes duhet ta ketë të qartë se numërimi mbrapsht për të dhe Sektin pa nder, pa vlera e pa Atdhe që përfaqëson, ka filluar dhe NUK DO NDALET”, ka shkruar Presidenti.

Pasi presidenti Meta akuzoi kryeministrin Rama se ka ofenduar dëshmorët e Atdheut, është kundërpërgjigjur ky i fundit. Përmes një statusi në Facebook, Rama i shkruan Kreut të Shtetit, duke iu drejtuar me fjalët: “Ilir, ti duhet ta kuptosh se nuk ka pasur para teje dhe nuk do ketë pas teje, as principatë, as monarki, as republikë në botë, që të ketë dhënë dekorata për heronjtë e luftrave të shkuara! Kjo është komedia e një marrëzie të pashoqe që të bën gazin e botës dhe të republikës sonë! Heronjtë mbaji në zemër e në mendje kur flet e vepron, duke respektuar detyrën e lartë e duke dhënë shembullin që detyra të imponon, jo duke sharë si i dehur me ata në gojë e duke nxitur dasi, sherr e rrëmuja për interesat e tua krejt personale dhe për partinë tënde të degraduar”. /rtsh.al

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme