Presidentja e KE-së, Fon der Lajen, nis sot turin ballkanik për Planin e Rritjes

Kosovë | 3 vite më parë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der lajen (o. von der Leyen) nis sot një vizitë katërditore në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Malin e Zi, Serbi dhe në Bosnjë-Hercegovinë.

Synimi i këtij turi ballkanik është njohja e vendeve përkatëse me planin e ri të integrimit dhe rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Zgjerimi i rajonit brenda kufijve të BE-së shihet si një emergjencë gjeopolitike, për të shmangur influencat e mundshme ruse.

Fon der Lajen vjen në disa prej kryeqyteteve të Ballkanit edhe për mesazhe që lidhen posaçërisht me politikat e brendshme.

Në Shkup, opinionistët presin gjatë ditës që të ketë një shtysë nga zyrtarja e lartë evropiane për të vijuar me ndryshimet në kushtetutë rreth minoriteteve, të cilën opozita po refuzon ta bëjë, duke i zgjatur kështu Maqedonisë mundësinë të negociojë seriozisht për çështjen e anëtarësimit.

Ndërkohë në Prishtinë presidentja Fon der Lajen do të mbërrijë në mbrëmje dhe orë më pas, të hënën, do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Në qendër të diskutimeve pritet të jetë edhe normalizimi i raporteve të Republikës me Serbinë.

Të martën Fon der Lajen do të qëndrojë në Malin e Zi, pastaj në Serbi dhe në fund në Bosnjë-Hercegovinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme