Presidentja Osmani takon liderët e Kroacisë mike, fokusi te zhvillimet e fundit

Kosovë | 3 vite më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po viziton të martën Kroacinë me ftesë të homologut të saj, Zoran Milanoviq.

Agjenda e kryeshtetares parashikon takime zyrtare në Zagreb me presidentin kroat, me kryeministrin Andrej Plenkoviq dhe me kreun e Parlamentit, Gordan Jandrokoviq.

Milanoviq dhe Osmani do të diskutojnë marrëdhëniet bilaterale midis Kroacisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, ngjarjet aktuale në Kosovën Veriore, si dhe perspektivat euro-atlantike të vendit.

Njohja e Kosovës

Zyra e presidencës kroate njoftoi se Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen për dhënien e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Milanoviq vazhdimisht u ka bërë thirrje publikisht anëtarëve të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë. Edhe në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara në Nju-Jork, presidenti Milanoviq theksoi se Kroacia mbron njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve.“

Gjatë qëndrimit në Kroaci, presidentja Osmani do të takohet edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar, dhe përveç Zagrebit pritet të vizitojë Karlovacin dhe Rijekën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme