Programi LEAD Albania, Balluku: Vendi s’shkon përpara me tifozëri politike, por me angazhimin e secilit

“Vendi nuk shkon përpara me tifozëri politike, por me angazhimin e secilit”. Kështu u shpreh zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, në një takim me të rinjtë e programit LEAD Albania.
Sipas Ballukut, ky program i jep mundësi të rinjve që të qëndrojnë në Shqipëri dhe të kontribuojnë në ekonominë e vendit.
“Është fat i madh që ne të kemi mundësinë që përmes këtij programi, të kemi të rinj që vendosin të qëndrojnë në vendin e tyre, vendosin të kontribuojnë për zhvillimin ekonomik të një vendi që sot është në nivelin e tij më të mirë. Kemi punuar për të arritur këtu ku kemi arritur. Na është dashur të bëjmë një reformë të rëndësishme si reforma në drejtësi për të krijuar transparencë për t’i thënë partnerëve të huaj që mund të vijnë të investojnë dhe do të trajtohen njësoj. Reformat kanë sjellë një rritje ekonomike të pakontestueshme. 2023 ka qenë një vit i mirë ekonomik për të gjithë shqiptarët dhe kjo në një moment të vështirë botërorë. U shtua një konflikt tjetër, por edhe një situatë e vështirë në shtetin fqinj dhe shtetin vëlla, të shqiptarëve të Kosovës. Të gjitha këto duan shtrëngim radhësh, një shpirt kombëtar i cili të kuptojë që ky vend nuk shkon përpara me tifozëri politike, por me angazhimin e secilit prej nesh, me përmbushjen e detyrave që kemi ndaj partnerëve tanë. Tranzicioni nuk mund të vazhdojë pafund”, u shpreh Balluku.
Programi LEAD Albania është i konceptuar sipas Programit të Shtëpisë së Bardhë për Lidershipin. Qëllimi i Programit në Shqipëri është që t’u sigurojë profesionistëve të rinj shqiptarë një përvojë njëvjeçare të drejtpërdrejtë në procesin e qeverisjes së Shqipërisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




