Programi qeverisës ekonomik i PD: Familja dhe sipërmarrja në qendër të transformimit të Shqipërisë

Ekonomi | 2 vite më parë

Partia Demokratike më e madhja e opozitës në Shqipëri po harton programin qeverisës 2025-2029, me të cilin ajo synon të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Fokus kryesor është rritja ekonomike gjithëpërfshirëse e vendit e cila sipas ekspertëve të departamenteve do të bazohet mbi disa shtylla kryesore.

Rritja ekonomike do të mbështetet nga një sistem i thjeshtë fiskal me norma të ulëta, gërshetuar me burokraci të thjeshtuara, të kuptueshme e të pranuara nga të gjithë aktorët e tregut.

Hartimi i një strategji të zhvillimit të integruar kombëtar dhe rajonal, në përputhje edhe me axhendën e Integrimit të BE-së. 

Ekonomi e çliruar nga praktikat korruptive dhe klienteliste. 

Krijimi i një Banke Zhvillimore me kapital shtetëror dhe kontribut të skemave të garancisë së donatorëve ndërkombëtarë, e cila do të financojë me kosto minimaliste të gjitha projektet që konsiderohen prioritare për zhvillimin si start-up e të rinjve, projekte zhvillimore, projekte të emigrantëve shqiptarë që do të kthehen në atdhe.

PD synon një reformë të thellë në sistemit fiskal aktual duke e thjeshtëzuar për të lehtësuar konsumatorët dhe bizneset.

Pas heqjes së tatimit progresiv PD do të implementojë një takse të sheshtë 10% mbi kapitalin. 

Ajo do të implementojë tatimin 10% mbi të ardhurat nga puna duke përjashtuar 50 mijë lekët e para, si dhe 10% tatim mbi të ardhurat jo nga paga. 

PD do të zerojë taksimin mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël. 

Tavani vjetor për tatim fitimin zero për biznesin e vogël do të jetë në 18 milionë lekë, ndërsa kufiri i përjashtimit nga TVSH do të jetë 14 milionë lekë xhiro vjetore. 

PD synon të uli nga 15% në 2% të taksës së shitjes së pronës. 

Do të hiqet “Taksa Rama” mbi karburantet. Çdo litër karburant do të kushtojë 24 lek më lirë. 

PD do të ndërmarri reformë të thellë duke realizuar brenda 100 ditëve të para llogaritjen dhe përcaktimin e minimumit jetik në Shqipëri.

Individi dhe familja do të jenë prioritet i qeverisjes së Partisë Demokratike:

Me qëllim luftën ndaj emigracionit dhe rikthimin e të rinjve në vend, një paketë e plotë me stimuj fiskalë dhe grante si për të punësuarit në moshë të re, ashtu edhe për sipërmarrësit deri në 35 vjeç. 

Paketë e plotë mbështetëse për familjet e reja, që nga subvencionimi i normave të interesit për blerje banese, te rritja e ndjeshme e bonusit të bebes, te granti mujor për çdo fëmijë deri në moshën 21 vjeç, përjashtimet nga taksat e nënave me shumë fëmijë, etj. 

 

/ rtsh.al /
 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme