Projektligjet për “Investimet e huaja” dhe për “Turizmin” shqyrtohen në komisionet parlamentare

Ekonomi | 3 vite më parë

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat, në një mbledhjen on-line, shqyrtoi dhe miratoi projektligjin për investimet strategjike në Shqipëri.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Laura Plaku, drejtoreshë e Përgjithshme e AIDA, si dhe stafi teknik i Ministrisë së Financave.

Në nisje të diskutimeve, në cilësinë e nismëtarit Shalsi sqaroi se në kushtet kur po punohet për draftin e një projektligji të ri me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar, ku do të reflektohen sugjerimet edhe të deputetëve të tjerë, si dhe pas sugjerimeve të ardhura nga komisionet e tjera parlamentare, propozoi rishikimin e nenit që lidhet me zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së ligjit.

Shalsi propozoi që afati i shtyrjes së ligjit të jetë deri më datën 31 dhjetor 2024 dhe jo sipas variantit fillestar të nismës, që parashikonte afatin 31 dhjetor 2027.

Shalsi, në prezantim të këtij projektligji bëri një përmbledhje të propozimeve dhe nevojës për rishikimin e ligjit, afati i të cilit përfundonte më 31 dhjetor 2023, duke lënë të pambuluar nevojën për aplikimet e reja.

Relatorja e çështjes, Edona Bilali theksoi se ndryshimi i projektligjit nuk shoqërohet me efekte financiare në buxhetin e shtetit, dhe ky ligj ka ardhur duke ndryshuar kohë pas kohë për të arritur më të mirën në qëllimin e tij.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit rrëzuan me votë 5 nene të projektligjit dhe miratuan nenin 6, së bashku me ndryshimin për të cilin u ra dakord, si edhe në tërësi.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, pjesërisht nen për nen dhe në tërësi nismën e Shalsit dhe raporti i kaloi komisionit përgjegjës.

Edhe Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, nën drejtimin e kryetarit Arben Pëllumbi, zhvilloi mbledhjen e radhës on-line në platformën “Zoom”, ku shqyrtoi dhe miratoi projektligjin për investimet strategjike në Shqipëri.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin nen për nen e projektligjit për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Turizmin. Të ftuar ishin zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello dhe stafi teknik.

Ky projektligj i diskutuar në parim në mbledhjet e mëparshme të komisionit, u shqyrtua nen për nen, ku pas diskutimeve dhe sugjerimeve e komenteve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi, së bashku me ndryshimet për të cilat u ra dakord gjatë shqyrtimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme