Protesta para Parlamentit/ 11 qytetarë dhe 6 efektivë morën shërbim pranë QSUT dhe Traumës, ja gjendja e tyre

Shtatëmbëdhjetë persona kanë marrë shërbim mjekësor në dy strukturat kryesore spitalore në Tiranë, pas protestës së zhvilluar para Parlamentit, ndërsa të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave nga strukturat e shëndetit publik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur 10 protestues.
Tre prej tyre kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë larguar nga spitali me këshillën e mjekëve. Ndërkohë, katër persona vijojnë të marrin trajtim në Urgjencën e QSUT-së, nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tre të tjerë po trajtohen në shërbimin e Toksikologjisë.
Të gjithë pacientët e paraqitur në QSUT janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) po marrin trajtim mjekësor gjashtë efektivë policie dhe një protestues. Edhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin kujdesin e nevojshëm nga ekipet mjekësore.
Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se situata e pacientëve po monitorohet nga ekipet përkatëse mjekësore.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





