PS kërkesë KQZ-së për Bashkinë Vlorë: Të shtyhet orari i votimit deri në 22:00, shkak bllokimi i akseve për eventin “Giro D’Italia”

Politikë | 1 vit më parë

Partia Socialiste i ka dërguar një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku kërkon shtyrjen e orarit të votimit deri në orën 22:00 në Bashkinë Vlorë, për shkak të aktivitetit “Giro D’italia”.

Për shkak të këtij eventi disa nga akset kryesore në Vlorë do të jenë të bllokuara deri në përfundim të tij, ndërsa PS thekson në kërkesën e saj se ky bllokim ndikon në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të Bashkisë Vlorë.

“Në vijim të komunikimit me Bashkinë e Vlorës, ju informoj se në datën 11 Maj 2025, në territorin e kësaj Bashkie do të zhvillohet aktiviteti sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia”. Masat e ndërmarra për organizimin e këtij eventi do të përfshijnë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth, shumica e të cilave do të qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 4 orë. Sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Vlorës, bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese”, thuhet në kërkesën e PS.

PS thekson se për shkak të kufizimit të lëvizshmërisë për më shumë se 4 orë në 14 akse kryesore në Bashkinë Vlorë, do të pengojë ushtrimin e të drejtës së votës për shumë qytetarë dhe për këtë kërkon shtyrjen e orarit të votimit nga ora 19:00 deri në 22:00

“Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00. Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur”, thuhet në kërkesën e PS drejtuar KQZ-së.

Më 11 maj, ditën e zgjedhjeve parlamentare, në qarkun e Vlorës do të zhvillohet edhe etapa e tretë e “Giro D’Italia” dhe për këtë arsye janë marrë masat për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti duke kufizuar lëvizshmërinë në disa prej akseve kryesore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme