Rama: Është një fitore e madhe, por s’duhet të jetë dehëse. Turi i falenderimeve nis nga Shkodra

Pasi është kristalizuar rezultati i votimeve thuajse në të gjithë vendin për zgjedhjet vendore, ku socialistët i kanë fituar në shumicë dërrmuese këto zgjedhje, kryeminstri, Edi Rama, ka dalë në një konferencë për shtyp, për të komentuar procesin, si dhe fitoren e partisë që ai drejton.
Sipas Ramës, rezultati i arritur, është një fitore shumë e madhe dhe se ai ndjehet shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve të PS-së, nga Tropoja në Konispol.
“Duhet të ruhemi nga një fitore e tillë, që të mos jetë dehëse. Mezi pres të iki në Shkodër nga ku do të nis një tur falenderimesh në të gjithë Shqipërinë. Këto zgjedhje patën një dimension politik, të impenuar nga hijet e së shkuarës, të cilët i shikonin këto zgjedhje si aksion kundër qeverisë”- theksoi Rama.
Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij përpara medias, ka theksuar se do të duhet të vijohet me punët të cilat u frenuan nga fushata. Sipas tij, do të ngrihet një grup pune, i cili do të bëjë edhe leximin e votës së këtyre zgjedhjeve.
“Nuk dua ti ngrijë askujt buzëqeshjen. Por të gjithë ta dinë, kryebashkiakët tanë, deputetët dhe drejtuesit politik, që u jam falenderues dhe admirues. I jam admirues socialistëve, të cilët u angazhuan në të gjithë vendin, patronazhistëve tanë pa të cilët makineria jonë s’do të kishte fuqi. Admirues për ekipin tonë të sondazheve dhe analizave. Falenderimet u shkojnë zgjedhësve tanë në të gjithë vendin. Falenderoj çdo zgjedhës të djathtë, një për një, që I’u përgjigj thirrjes sime për të mos dalë fare në votime, nëse nuk donin të na votonin ne. Me mungesën e tyre ju bashkuan Shqipërisë, aleate e SHBA dhe e botës demokratike perëndimore. Atyre që nuk dolën dot nga hijet e së shkuarës që ndejtën në kënetë, u them se në kënetën ku janë nuk kanë të ardhme. Ne do të angazhohemi, do të gjejmë fuqi dhe energji të reja, për ti qëndruar kësaj sfide të jashtëzakonshme. Kjo fitore për mua është një mesazh për t’u lexuar dhe jo të shihet si triumf”- theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




