Rama me mjekët: Të ardhurat për frymë 10 mijë euro, objektivi ynë. Belinda të çlirojë naftën dhe gazin e Shpiragut nga kuçedrat

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria nuk e konsideron detyrën e përmbushur pa çuar në 10 mijë euro të ardhurat për frymë.

Gjatë takimit me mjekët dhe infermierët e Klosit dhe Matit për planin 2-vjeçar të rritjes së pagave, Kreu i qeverisë ka deklaruar se aktualisht rritja e pagave në Shqipëri është në nivelin e lartë të rajonit.

“Me këtë rritje ne jemi në nivelin e lartë të rajonit. Nuk kemi më sekëlldinë e madhe të ulim kokën e të themi, jemi në fund.

Nëse do kemi mundësi të reja, patjetër që do vazhdojmë të rrisim pagat. Rritja e të ardhurave për frymë është thuajse dyfishuar.

Pa e çuar në 10 mijë euro për frymë, ne se konsiderojmë detyrën tonë të përmbushur.

Si fazë zhvillimi, duhet të përmbyllet me 10 mijë euro për frymë”, tha ai.

Më tej, në planin e qeverisë sipas Ramës, është rritja e pagës minimale në 60 mijë lekë. Por për këtë, shtoi Kryeministri, duhet të rritet ekonomia.

“Pa e çuar pagën minimale në 60 mijë lekë, nuk e quajmë detyrën e përmbushur. Por duhet të rrisim ekonominë, jemi shumë optimist”, tha Rama teksa shtoi se ka ende burime të pashfrytëzuara, sikurse janë turizmi dhe energjia.

“Kemi një potencial të madh të pashfrytëzuar që është turizmi. Bumi në turizëm sapo ka filluar. Kemi të gjitha kapacitetet të prenotuara

Turizmi është një aspekt, pastaj energjia duke u bërë sovran në prodhimin e energjisë dhe eksportues neto”, theksoi ai.

Po ashtu, një mesazh kryeministri Rama e kishte edhe për Ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Ballukun, ku tha se nëse do çlirojë naftën dhe gazin e Shpiragut nga kuçedrat në muajt në vijim, Shqipëria do jetë në tjetër nivel.

“Nëse Belinda do e çlirojë naftën dhe gazin në Shpirag nga kuçedra, atëherë do jemi në një nivel tjetër. Shpresoj të kemi lajmë të mira në muajt në vijim dhe pastaj do flasim për nivel krejt tjetër”, përfundoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme