Rama në Asamblenë e PS në Tiranë : Zbresim borxhin në kufirin e 60%!

Ekonomi | 3 vite më parë

Në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Tiranë kryeministri Edi Rama vend kryesor i ka kushtuar ekonomisë së vendit. 

“Janë disa shifra të thjeshta që flasin shumë për këtë nivel të ri të vendit. Duke filluar nga ekonomia, ku jo vetëm FMN e karakterizoi ekonominë e Shqipërisë si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, por ku inflacioni ka qenë më i ulëti në rajon”. 

Zoti Rama tha se: “Në buxhetin e ri për vitin 2024, ne zbresim borxhin në kufirin e 60%. Është një zbritje prej 15 pikësh që përsëri flet për shëndetin e ekonomisë tonë në raport me të djeshmen”.

“Inflacioni në Shqipëri është rritur më pak se kudo tjetër në rajon dhe kjo ka ndihmuar shumë që ekonomia e familjeve të mos preket në mënyrë të papërballueshme nga inflacioni, ashtu siç ka ndodhur. Dolëm nga Lista Gri e aktivitetit financiar. Ky është një proces, nuk do të thotë se hyrja në Listën Gri është fundi i botës, por dolëm. Kjo erdhi si rezultat i përfundimeve sistematike. Kjo është një plus i rëndësishëm përsa i përket lirshmërisë së transaksioneve financiare” tha zoti Rama.

Kryeministri kujtoi se “Buxheti i 2024 ka 400 milionë Euro vetëm për rritje pagash dhe të mos harrojmë tjetrën që ne sot vërtetë kemi një pagë minimale 400 mijë Lekë të vjetra, por për shkak të forcimit të Lekut, do të thotë se kemi një pagë minimale 400 Euro”.

Me rritjen që do i bëjmë pagave për mjekët e përgjithshëm, për mësuesit, për infermierët, për punonjësit e Policisë së Shtetit si dhe për të gjithë punonjësit në administra, ne do të arrijmë para kohës së parashikuar që të kemi një pagë mesatare 900 Euro. 250 milionë të tjera shkojnë për pensionet, qoftë për indeksimet dhe për bonueset e pensionistëve. 33% e buxhetit të shtetit tonë shkon për mbrojtje sociale që nga pensionistët e deri tek bebet e porsalindura”, tha kryeministri Edi Rama.

Fuqizimi i arsimit profesional

Rama, në fjalën e tij, vuri theksin edhe te arsimi profesional. Sipas tij, duke fuqizuar arsimin profesional, rritet edhe vetëdija e prindërve në radhë të parë.

 “Shkojnë në gjimnaz me nota të ulëta dhe mund të jenë shumë më të prirur për t‘u bërë sipërmarrës dhe për të nxjerë një pagë shumë të mirë nga puna. Oferta atje (jashtë vendit) është përkeqësuar në mënyrë drastike për shkak të rritjes së kostos së jetesës. Nuk mbetet gjë në fund të muajit për ata që nisen për të bërë një punë të zakonshme, nuk flas për mjekët, por për të rinjtë që marrin rrugën dhe mendojnë se atje do ia dalin më mirë.”, tha Rama.

 Sipas tij, në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit do të ngrihen dhe struktura që ndërlidhen me arsimin profesional.

 “Do të vemë në jetë binjakëzimin e parë që përfundon me një diplomë me një nga shkollat më të mira zvicerane EHL. Ata erdhën dhe bënë diagnozën e shkollës profesionale, nxorën disa problematika që u zgjidhën. Duhet të investojmë në konvikte. Duhet të fuqizojmë atë që kemi nisur me Mjekësinë”, theksoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme